I dërguari turk në Kombet e Bashkuara (OKB), Feridun Sinirliooğlu, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta lë tragjedinë e Sirisë mbi supet e Turqisë.

Sinirliooğlu foli në një panel të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi situatën e të drejtave të njeriut në Siri dhe përsëriti se Turqia strehon 4 milionë sirianë të cilët kanë ikur nga shtypja e dhunshme e vitit 2011 nga regjimi i Bashar al-Assadit.

Ai tha se Turqia, me 5 milionë sirianë që jetojnë në kufijtë e saj, po mbron rreth 9 milionë sirianë në total.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i kthejë shpinën kësaj tragjedie dhe ta lë të vetme mbi shpatullat tona. Tre milionë njerëz në veriperëndim mbështeten plotësisht në operacionet ndërkufitare të OKB-së të kryera nga Turqia”, tha Sinirliooğlu.

I dërguari turk po ashtu bëri thirrje për hapjen e pikave shtesë të kalimit për t’i mundësuar OKB-së të arrijë ata në nevojë përmes rrugëve të drejtpërdrejta.

“Kjo nuk është një çështje politike. Është një urgjencë humanitare. Prandaj, bëhuni të guximshëm dhe shtrojeni dorën tuaj të ndihmës për popullin sirian”, shtoi ai.

Në hapjen e panelit, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır, tha se tashmë që dhjetë vite konflikti sirian dhe efektet e konfliktit janë larg përfundimit.

“Ne mund të jemi familizuar me imazhet e vdekjeve dhe shkatërrimit, por ne nuk duhet të bëhemi imunë. Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, është dora e njeriut pas kësaj katastrofe”, tha Bozkır.

Siria është shkatërruar nga një luftë civile që nga viti 2011 kur regjimi i Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Sipas vlerësimeve nga OKB-ja, qindra mijëra sirianë janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb