Ky trofe, i 34-ti në historinë e Realit në La Liga, ka një shije të veçante për trajnerin Zidane dhe për të gjithë ambientin në Madrid. Një meritë të padiskutueshme në këtë ka tekniku francez i cili arriti ti marrë më të mirën një grupi që dukej në fund të ciklit. Shifrat e Realit pas rifillimit të sezonit të impojnë respekt, 10 fitore në 10 ndeshje, një ecuri perfektë e cila u kurorëzua me titullin kampion. Zidane është një personazh që ka fituar shumë, ka fituar gjithçka si lojtar ashtu dhe si trajner, por ky titull ka një specifikë ndryshe, pasi vjen pas një periudhe ku e gjitha bota vuajti dhe vijon të vuaj pasojat e Covid-19:

“Jam shumë i lumtur. Mes gjërave që kam fituar, ky titull ka një shije të veçantë. Pas gjithë këtyre muajve në shtëpi u rikthyem dhe u stërvitëm në një mënyrë të veçantë. U treguam të zotë duke fituar titullin në Spanjë, që për mua është më i vështiri. Besoj se suksesi jonë ka të bëjë me sakrificën e madhe të të gjithëve. Nuk e di se çfarë do të bëj tani por jam shumë i lumtur”, u shpreh Zidane në konferencën për shty pas ndeshjesh. Një tjetër protagonist absolut i këtij sezoni të Realit ishte dhe kapiteni Sergio Ramos, i cili mori përsipër edhe rolin e “bomberit” duke i dhuruar shumë pikë: “Qëndroj këtu për aq vite sa dëshiron presidenti. Jam i lumtur dhe dëshiroj të mbyll karrierën këtu. Nuk ka asnjë problem nga ana ime. Zidane? Ishte çelësi i suksesit, kapiteni i anijes. I dha shumë besim lojtarëve dhe u ndjemë të gjithë të mbrojtur. Të gjithë besojmë tek ai. Shpresoj të vlerësohet dhe të qëndroj sa më gjatë të jetë e mundur”, u shpreh kapiteni.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb