Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, emri i të cilit u bë i njohur gjatë operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, e i akuzuar për “shpërdorim detyre” i kërkon Gjykatës së Apelit të Posaçëm ndryshimin e masës “arrest në shtëpi ndaj tij”.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton për “BalkanWeb”, se prokurori kërkon në Apel që të shfuqizohet kjo masë dhe të zëvendësohet. Kërkesa e tij sipas gazetares, do të shqyrtohet nga gjyqtarja Saida Dollani. Kujtojmë se gjatë operacionit “Shpirti” u bënë një sërë arrestimesh, mes biznesmenëve të njohur dhe 2 ish-truprojave të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Emri i Sotës doli gjatë dëshmisë së 2 skafistëve, të cilësuar si të penduarit ndaj drejtësisë. Ata pretendonin se Sota, qëndronte në një apartament me qira në Vlorë të paguar nga krerët e bandave. Prokurori nga ana e tij i ka mohuar këto zëra, duke shtuar se goditja e tij është e qëllimshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb