Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi ka komentuar gjithçka që bën zhurmë tani tek ekipi i tij.
Numri një i portës korçare, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka bërë me dije se nuk është normale që klubi të gjykohet dy herë për një dosje dhe analiza që bëjnë personat e angazhuar nga kompani të ndryshme në lidhje me lojën e futbollit, teksa shpreh besimin se gjithçka do të shkojë mirë. Në anën tjetër, Shehi komenton edhe rrugëtimin drejt titullit, por edhe Kupën e Shqipërisë.

Shehi, luftë kundër kohës me Europën, a keni shpresë për të ardhmen?
Të jem i sinqertë, si kapiten i ekipit kam kërkuar që të gjithë ne lojtarët të jemi të përqendruar te fusha e lojës dhe të mbyllim sa më shpejt titullin kampion. Një gjë e tillë do të arrihet vetëm kur të jemi kampionë të këtij sezoni matematikisht. Pasi të fitojmë titullin, do të shohim më shumë drejt së ardhmes dhe do të bëjmë llogaritë.

Por Europa vjen shpejt. A ju ka dhënë garanci klubi?
Te Skënderbeu gjërat janë të ndara, ekipi merret me lojën dhe ndeshjet, ndërsa klubi me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me klubin. Kam përshtypjen se në këtë moment janë përfaqësuesit ligjorë ata që kanë informacion më shumë se çdokush tjetër. Por normalisht edhe ne kemi kërkuar të dimë dhe kemi besimin se do të dalim të pastër nga kjo histori për të vijuar normalisht rrugëtimin tonë në Europë.

Në raport përmendej emri juaj dhe i disa lojtarëve të tjerë. Çfarë përshtypje ju lë kjo?
Të them të drejtën, unë kam folur më herët për këtë çështje, para dy vitesh dhe, duke qenë se është e njëjta histori e rikthyer, e njëjta dosje, nuk dua që të komentoj analiza të cilat nuk kanë sens. Analizat taktike unë i bëj vetëm me profesor Bozhiqin, trajnerin tim dhe jo me persona që angazhohen nga një kompani. Nuk më duket normale që të gjykosh lojën e një futbollisti dhe të thuash se topi prej tij në fillim të lojës goditej 50 metra dhe në momente të tjera 30 metra. Nuk është kjo logjika e futbollit.

Shehi, u hodh shorti i Kupës. Në gjysmëfinale kundër Flamurtarit. I kënaqur?
Jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe normalisht që të gjitha kombinimet do të prodhonin ndeshje të forta. Kjo, edhe për vetë faktin se janë gjysmëfinaliste katër vendet e para të renditjes. Nuk kisha ndonjë preferencë për shortin para se të hidhej, pasi kushdo të binte, do të ishin dy përballje të forta. Gjithsesi, shorti më kënaq.

Sa të vështira i shihni këto dy përballje?
Normalisht, për vetë faktin se Kupa ka një tjetër specifikë, mund të them se do të jenë 180 minuta të luftuara shumë sepse të dyja ekipet kërkojnë të shkojnë në finale. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të japim maksimumin tonë.

Do të luani në Korçë ndeshjen e parë. Pozitiv apo negativ është faktori fushë?
Të them të drejtën, janë shumë lojtarë që dëshirojnë që ndeshjen e parë ta luajnë në transfertë, por për mua është e kundërta. Më pëlqen që në të tilla takime, ndeshjen e parë ta luajmë në shtëpinë tonë dhe të mundohemi të marrim maksimumin që në këtë takim.

Duke parë pozicionin në renditje dhe qetësinë që krijon, a e shihni si vitin e duhur për të fituar edhe Kupën?
Të jemi i sinqertë, gjithmonë kemi thënë se duam të fitojmë këtë trofe, por nuk ia kemi arritur. Shpresojmë që ky të jetë viti i duhur. Kjo edhe për këtë që thatë ju se jemi të shkëputur 15 pikë nga ndjekësi në kampionat dhe jemi më të qetë, pasi asnjëherë nuk kemi parë një diferencë të tillë mes vendeve të para. Ndoshta kjo do të na ndihmojë. Por, mbi të gjitha, them se është viti i duhur, pasi jemi ekipi më i mirë dhe duke parë cilësitë që kemi, besoj se ia dalim këtë herë për të fituar Kupën.

Do të ishte mbyllja e një sezoni fantastik me dy trofe?
Sezoni për ne me të vërtetë ka qenë fantastik. Kemi bërë një rrugëtim mjaft të mirë, duke filluar që nga eliminatoret e Europës. Këtë e them me bindje që kemi qenë vërtet fantastikë në sezonin që po luajmë. Kemi kaluar në grupet e Europa Ligës duke luajtur atje 14 takime. Është vërtet një hap historik që vetëm ne dhe Makabi e kemi bërë një gjë të tillë duke kaluar në Europa Ligë pasi jemi kualifikuar në të katër turet. Më pas, të njëjtën paraqitje e vazhduam edhe në kampionat, duke bërë një rrugëtim të mirë deri në këtë pikë të sezonit. Jemi 15 pikë të shkëputur dhe mendoj që askush nuk ka bërë kështu si ne. Për këtë arsye mund të them që sezoni ka qenë për t’u mbajtur mend. Për këtë arsye dua që të jem në fushë, për të fituar si kupën, ashtu edhe kampionatin.

Ai dëmtim me Luftëtarin do t’ju mbajë jashtë. Kaq i rëndë ishte?
Të them të drejtën, që atë moment e ndjeva se do të ishte i keq. Por do të mundohem që të bëj maksimumin për t’u rikthyer në kohë dhe titullin ta fitoj në fushë. Ekipi e ka forcën që edhe pa mua të jetë po kaq kompakt në fushë, ndërsa unë nga ana tjetër do të mundohem të stërvitem me grintën e një 18-vjeçari për të qenë sa më shpejt i rikuperuar.

Do t’ju mungojë fusha?
Sigurisht që po, do të më mungojë shumë. Por do të jem çdo ditë pranë ekipit për të bërë rikuperimin në kohë rekord.

Keni ndonjë koment për deklaratën e Ilir Dajës?
Profesor Daja është me të vërtetë arkitekti i këtij Skënderbeu dhe ka merita që ne kemi bërë një sezon të tillë. Unë po përpiqem që të vjedh diçka nga aftësitë e tij, pasi do të më duhen në të ardhmen. Ne nuk kemi pasur asnjë përplasje që të jemi të qartë, por ndoshta unë kështu jam ndërtuar, marr përsipër shumë dhe nuk bëj kompromis me asgjë, pasi dua të arrij maksimumin. Një gjë të tillë e kam bërë që kur isha 18 vjeç dhe do të vazhdoj ta bëj.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-i-doli-emri-ne-raportin-e-uefa-s-shehi-pretendime-anoramale-na-akuzojne-si-gjuajme-topin/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: