Taksisti shqiptar Hazir Stublla është bërë i famshëm së fundmi në Gjermani pasi e ka gjetur kuletën e Manuel Neuer. Portieri gjerman e shpërbleu taksistin shqiptar për këtë veprim me diçka modeste.

Stublla e ka quajtur portierin gjerman si dorështrënguar pasi nuk ia dha shpërblimin e merituar. “Kuleta e kishte emrin dhe adresën e Neuerit”, ka thënë Stublla për median gjermane “Bild”.

Ai ka zbuluar se në kuletë gjendeshin 800 euro kesh, një kartë Visa Platinum dhe një Mastercard. Media gjermane në fjalë shkruan se taksisti shqiptar u përpoq ta gjente portierin gjerman duke shkuar direkt në shtëpi të tij.

Aty nuk e gjeti veteranin e portës dhe më pas shkoi në qendrën stërvitore të Bayern dhe ia dorëzoi kuletën menaxherit të tij. Stublla besoi se do ta merrte një dhuratë që e meriton, por në fund u dëshpërua, pasi e mori një fanellë të panënshkruar nga portieri gjerman.

“Ky shpërblim është shaka. Unë kam katër fëmijë dhe nuk mund të bëj asgjë me fanellën”, – ka thënë Stublla për “Bild”, i dëshpëruar pasi i kishte bërë 120 kilometra për ta dërguar kuletën në adresën e duhur të pronarit. 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb