VLORË- Policia e Vlorës ka zbardhur një grabitje të ndodhur pesë ditë më parë duke arrestuar dy autorët të dy minorenë.

Ngjarja ndodhi në 16 shtator ku rreth orës 20:30, në lagjen “Bashkimi” Vlorë, dy persona i kanë dalë para në rrugë shtetasit A.L., 34 vjeç, i cili transportonte lekë nga një pikë e këmbimit valutor në pikën tjetër dhe i kanë vjedhur me forcë dhe dhunë çantën e krahut ku kishte brenda saj një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.

Seksioni i Krimeve pranë Komisariatit të DVP Vlorë, në kuadër të këtij operacioni pas një pune hetimore
ka vënë para përgjegjësisë penale autorët e dyshuar:
– M.Gj, 17 vjeç, banues në Vlorë;
– N.A, 16 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i tyre u bë në lagjen “24 Maji”. Sapo kanë parë policinë dy adoleshentët kanë tentuar të largoheshin por u kapën menjëherë në rrugën kryesore të kësaj lagjeje.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumica e parave të vjedhura në total 8.150 euro, çanta në të cilën ndodheshin lekët në momentin e vjedhjes si dhe xhiboksi i veshur në momentin e vjedhjes me dhunë nga njëri prej autorëve.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb