Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, është i hapur për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të kampionëve spanjollë dhe europianë në fuqi, Real Madridin, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e transferimit të tij në drejtimin e Barcelonës, apo Arsenalit. Zinedine Zidane e udhëhoqi Real Madridin në fitimin e La Liga-s dhe Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, por francezi po lufton për të mbajtur punën e tij mes dështimeve të “Los Blancos” në edicionin 2017-2018. Sezoni i Real Madridit mori një tjetër goditje të mërkurën, kur skuadra e Zidanes u eliminua që në çerekfinalet e Kupës së Mbretit nga Leganes. Pochettino është i lidhur me Real Madridin, mes pasigurisë mbi Zidane, teksa ish-trajneri i Espanyol nuk refuzoi të kalojë në “Santiago Bernabeu”, shkruan telesport.

“Unë jam aq i qartë, – tha Pochettino: – Kurrë nuk do të jem trajner i Barcelonës dhe Arsenalit, sepse jam i identifikuar me Tottenhamin dhe Espanyol. Jam rritur në “Newell’s Old Boys” dhe nuk do ta menaxhoj “Rosario Central”. Ky është vendimi im, sepse më mirë preferoj të punoj në fermën time në Argjentinë sesa në disa vende, por angazhimi im është masiv në këtë klub. Por, në fund të fundit, është si me lojtarët, nuk e di se çfarë do të ndodhë në futboll. Ka shumë zëra për këtë. Nesër, presidenti i Tottenham, Daniel Levy, mund të ketë një natë të keqe dhe të thotë: “Oh, unë do t’ju shkarkoj Mauricio”. Dhe pastaj dukem budalla, duke thënë se nuk do të punoj në një vend, apo në një vend tjetër. Nuk e dini të ardhmen kurrë në futboll, ky është problemi, është një situatë shumë e paqëndrueshme”.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb