TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralajmërim të fortë sot për ata që do tentojnë të prishin zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kush i afrohet një qendre votimi me mendje te keqe djeg veten, jo zgjedhjet”, tha Rama duke theksuar se ata që akuzohen për këtë vepër penale mund të futen në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore dhe do t’u hiqet përjetë e drejta për të hyrë në SHBA dhe vendet e BE-së.

Kreu i qeverisë deklaroi se ligji do të veprojë ashpër kundër kujtdo që do të cenojë procesin zgjedhor dhe për këtë kërkoi informim për cilindo që ende nuk e ka idenë e ndëshkimit për këtë vepër penale.

“Duhen informuar se jo kushdo e di që kodi është shumë i ashpër në këtë aspekt dhe jo nuk ia vlen te digjesh, por mund të të fusë në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore që do t’u hiqet e drejta për të hyrë në SHBA dhe BE”, tha kryeministri.

Ai theksoi se do ketë dokumentim të çdo veprimi në kundërshtim me ligjin në qendrat e votimit.
“Unë nuk dua kurrë unë që një shqiptari të vetëm, të zakonshëm t’ia shoh këtë qeder, e të mbetet tërë jetën pa hyrë dot në BE dhe SHBA, se shkoi e vajti pas një udhëheqje që do ta bëjë beje shesh të një përsheshi të neveritshëm, duke shkelur çdo kufij te rendit kushtetues, ligjor e logjik të kësaj republike.
Në çdo qendër ne të dokumentojmë me video, audio, fotografi, çdo veprim në kundërshtim me ligjin, jo qeveria, e cila do ta bëjë detyrën e saj, ashtu si policia dhe çdo agjenci ligjzbatuese do të bëjë detyrën e tyre. Ne do bëjmë fushatë për demokracinë”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb