TIRANE- Ai kish filluar të jetonte me sëmundjen, ta sfidonte madje deri në momentin e fundit me shkrimet e tij të spikatura, por të shtunën e ndali betejën duke i dhënë gjithë botës së gazetarisë lajmin e hidhur.

Analisti dhe publicisti Andrea Stefani u shua në moshën 58-vjeçare në një spital në Romë aty ku kurohej prej disa kohësh, ndërsa sot trupi i tij ka ardhur të prehet në Atdhe. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit në një ceremoni homazhesh në hollin e RTSH-së janë familjarët, miqtë, të afërmit, kolegë, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në ceremoninë e homazheve ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili është takuar me familjarët e Stefanit, duke i shprehur nga afër ngushëllimet.

Andrea Stefani u bë i njohur në fillim të viteve ’90 si gazetar ekonomik e më pas si analist politik. Ai ka qenë krijues dhe kontributor në disa media kryesore shqiptare. Stefani do të mbahet mend për qëndrimet e tij parimore, jo konformiste dhe polemikat e forta e plot nerv veçanërisht në studiot televizive. Vitet e fundit ai ishte nismëtar dhe i disa iniciativave të rëndësishme të shoqërisë civile. Andrea Stefani ka lënë pas edhe disa libra të vlerësuar si “Komplot kundër lirisë” dhe “Albanistan”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb