Kukësi parakalon Partizanin në garën për të bindur sulmuesin Vasil Shkurtaj. “Panorama Sport” zbulon se vlonjati ka mbërritur dje në Tiranë dhe ka biseduar me drejtuesit e klubit verilindor, aty ku u aktivizua për një sezon e gjysmë dhe arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë.

Mësohet se në parim është arritur akordi mes palëve, teksa drejtori sportiv, Pero Pejiç, pasi mori miratimin e presidentit Safet Gjici për të plotësuar kërkesat e 29-vjeçarit, ka arritur ta bindë këtë të fundit për të zgjedhur Kukësin dhe jo Partizanin. Natyrisht që kleçka ka qenë një klauzolë që Shkurtaj kërkon të vendosë në kontratë, e cila detyron Kukësin ta lërë të lirë nëse ka një ofertë joshëse nga klubet aziatike deri në fund të sezonit.

Gjithsesi, marrëveshja do të quhet e mbyllur në momentin që sulmuesi të hedhë firmën, pasi e kaluara ka treguar se vlonjati shpesh ka ndryshuar mendje në momentet e fundit. Edhe dje, i kontaktuar nga gazeta, Shkurtaj la gjithçka të hapur, duke lënë të kuptohet se orët në vijim do të jenë vendimtare, paçka se i ka thënë “po” Kukësit. “Nuk e kam mbyllur ende me asnjë ekip…”, sqaroi shtatlarti, i cili përpara se të luante me klubin verilindor në vitet 2019-2020, kishte shpërthyer në kampionatin shqiptar te Luftëtari. Gjatë sezonit të fundit ai ka qenë pjesë e klubit Jiangxi Beidamen në Kinë, por tashmë është lojtar i lirë.

OFERTA – Por si e bindi Kukësi sulmuesin vlonjat dhe çfarë i ofroi? Burime në klubin verilindor tregojnë për gazetën se paga mujore e Shkurtajt shkon rreth 9 mijë euro për një kontratë 1.5 vite, por me disa bonuse dhe klauzola, të cilat janë të lidhura me objektivin e klubit, por gjithashtu golat që shënon sulmuesi në pjesën e dytë të këtij sezoni.

Në ndryshim nga Partizani, që i jepte një pagë më të majme Shkurtajt, Kukësi u tregua më i duruar në lidhje me kushtin që vlonjati vendosi në rast se merr një ofertë deri në muajin maj nga klubet kineze. Verilindorët duan titullin këtë sezon dhe në sulm kërkohet garanci, paçka se deri më tani skuadra e Diego Longos ka pasur një ecuri mbresëlënëse. Në verë u afrua qendërsulmuesi moldav, Artiom Puntus, por deri më tani ka shënuar vetëm një gol në barazimin 1-1 ndaj Vllaznisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: