Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë pasdite një bisedë telefonike me kryesuesen e listës së Elbasanit, Evis Kushi, me të cilën ka diskutuar mbi fushatën elektorale.

Mes të tjerash, në videon e publikuar në “Facebook”, ku shkruan “Nga bregu i Jonit me Evisin e kalasë së Elbasanit”, Rama iu përcjell dhe një mesazh paralajmërues të gjithë qytetarëve të Elbasanit, teksa thotë se “Kalaja të mbështesë gocën e vet dhe ne e mbështesim Kalanë bashkë me gocën”.

Më tej, teksa e pyet për partitë e tjera politike, Rama i kërkon Kushit të bëjë kujdes nga LSI, pasi sipas tij, dihet se çfarë bëjnë ata ditët e fundit, ndërsa kujton dhe deklaratën e presidentit Ilir Meta se “do t’i priten duart, kujtdo që prek votën”, duke thënë me ironi se “bërtet hajduti, ‘kapni hajdutin’”.

Gjithashtu, Rama zbulon edhe se i ka bërë kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve që të zgjasin fashën orare, për shkak edhe të muajit të Ramazanit, që nis javën e ardhshme.

Biseda mes Ramës dhe Evis Kushit:
Rama: O zysha po ku mo zysha, se ngela duke i ra telefonit.
Kushi: Jam në terren, në fushatë intensivisht.
Rama: Si shkojnë punët?
Kushi: Mirë, jemi cdo ditë me njerëzit, takim me emigrantë, vajza, të rinj, pensionist. Situata duket mirë. Elbasani mezi po pret ditën e votimit. Kam besim se rezultati do të jetë shumë kuptimplot këtë herë. Ndjehet optimizmi, fryma, ndjehet mbështetja.
Rama: Edhe unë këtë ndjesi kam. Ato sondazhet janë fantastike në Elbasan, por problemi është se nuk duhet me u marrë me sondazhet, por me njerëzit.
Kushi: Jo, jo, ne jemi cdo ditë me njerëzit. Ndonjëherë e kemi të vështirë se shumë njerëz duan të na bashkohen në takime, ndërkohë që duhet të respektojmë rregullat. E kemi shumë merak këtë pjesë, jemi strikt. Por që njerëzit janë të gatshëm të na bashkohen, edhe kur ju trokasim në dyer. Madje edhe te të djathtë kur trokasim, na e hapin derën, na përgjigjen.
Rama: E cfarë thonë?
Kushi: Një pjesë janë largu dhe prej atyre, pjesa tjetër diskutojnë, kërkojnë.
Rama: Alo. He se jam në këto kthesat, se po largohem nga pjesa poshtë fare në jug e po shkoj për lart, e jam në këto kthesat. Çfarë po thoje, se s’të dëgjova mirë.

Kushi: Po thoja që njerëzit duan që të vazhdojmë, të mos kthehemi pas. Madje kjo ngjarja e fundit e aeroportit ishte këmbanë alarmi edhe për të lëkundurit, se e panë rrezikun, e panë çfarë do me thënë të kthehesh pas, në rrëmujë, ë paligjshmëri. Ka shkaktuar shumë pakënaqësi ajo ngjarja.
Rama: Ajo ishte një çmenduri e vërtetë, por njerëzit duhet ta kenë parasysh se janë po ata, nuk është puna se ndryshon koha. Ja urdhëro, ajo që pamë, ajo është mënyra si këta i qasen shtetit. Janë anti-shtet komplet.
Kushi: Po, po, edhe mësuesit kur i takoj, apo infermierët, e kanë të qartë se çfarë do të thotë të kthehesh pas, se do rrezikonin meritokracinë, që mezi e ndërtuam. Çdo herë që i takoj janë mirënjohës shumë për portalin “Mësues për Shqipërinë”. Më të kënaqur janë prindërit madje, se e shohin se fëmijët e tyre janë profesionistë.
Rama: Po erdhën ata, fillojnë nga e para ‘kush je ti, ca tesere ke, ik se do vijë ky tjetri, kjo tjetra, pa arsim përkatës’. I di ti. Po këta xhagajdurët e kontrollit tokësor të presidentit cfarë bëjnë?
Kushi: Një pjesë e mbështetësve të LSI vazhdojnë të na bashkohen ne në fushatë, një pjesë shkojnë edhe te PD, të them të vërtetën.
Rama: Janë ata që i kanë rekrutuar me vende pune, e ke parasysh.
Kushi: Po pjesa më e madhe e kanë kuptuar se nuk kanë çfarë presin më nga LSI.
Rama: Nejse, kujdes dhe kij parasysh metodat e tyre, sidomos ditët e fundit, se dihet ajo punë. Edhe është habi e madhe se tamam bërtet hajduti ‘kapni hajdutin’. ‘Do i presim duart, atyre që blejnë vota’. E ke parasysh tani, i bie që të dalin pa duar që nga ai e plotë të tjerët, po nejse.

Kushi: Qytetarët tanë presin projektet e reja, sidomos projektin e Kalasë.
Rama: Do ta bëjmë patjetër atë, se kemi dhe ministren e Arsimit nga Kalaja tani s’kemi nga luajmë. Se ma ke nxi jetën me atë Kala mo xhan, por do ta bëjmë.
Kushi: Është Kalaja e historisë, ka shumë arsye pse duhet rindërtuar.
Rama: Pa diskutim, por Kalaja të mbështesë gocën e vet dhe ne e mbështesim Kalanë bashkë me gocën.
Kushi: Kam dhe një kërkesë nga qytetarët, ata kanë cik merakun e orës policore, se të gjithë që takoj është që duan të zgjatet të paktën deri në 21:00 ose deri në 22:00, sidomos për muajin e ramazanit. Komiteti i Ekspertëve është mirë ta shikojë pak.
Rama: Atyre nuk ju flitet kollaj, por një kërkesë me arsyetim që ‘a mund të bëhet kjo’, e kemi bërë. Tani të shohim, janë shumë të shqetësuar ata.
Kushi: Po tani ndoshta edhe me procesin e vaksinimit, mund të bëhet.
Rama: E di, por vaksinimi duhet shoqëruar me distancim dhe rregull. Alo, të humba më duket. Mirë zysha flasim më vonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb