TIRANË

Majlinda Sula, motra e të riut shqiptar Saimir Sula, i cili vdiq në një spital në Spanjë dy vite më parë, ku kishte shkuar për COVID dhe doli i vdekur dhe pa zemër kërkon ende drejtësi.

Në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala, motra e viktimës kërkon që shteti shqiptar t’i dërgojë një notë verbale ambasadës së Spanjës në Tiranë, në mënyrë që autoritetet spanjolle të kthejnë përgjigje për dy letër-porositë e dërguara më parë nga ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministri aktual Ulsi Manja.

Ajo sqaroi se autoritetet kanë ofruar një zemër që sipas familjes nuk është e Saimirit, pasi është regjistruar një muaj para se i riu të vdiste.

“Rasti i Saimirit u arkivua ne qershor, me pretendimin se u gjet zemra. Dokumentet për zemrën janë në prill 2020, kur Saimir ndërroi jetë në maj.

Zemrat mbahet në një nga këto institucionet, por jo në spital. Kur doli Saimiri nga spitali, mbaroi çdo kontakt. Tani kemi lidhje vetëm me mjekësinë ligjore dhe këtë institutin. Këta zotërinjtë pretendojnë se zemra ndodhet në një boks nga prilli, kur Saimir ndërroi jetë në maj. Është një mashtrim nga autoritetet spanjolle për të mbyllur rastin. Rasti është mbyllur në qershor ë këtij viti, është arkivuar. Ne e kemi hedhur në apel, por do na duhet ndihma e autoriteteve shqiptare”, tha ajo.

Sipas motrës, ne nuk kemi dhënë autorizim për mbajtjen e zemrës, as nga autoritetet spanjolle nuk pretendohet që ne të kemi firmosur për mbajtjen e zemrës.

“Nuk shpjegohet pse e kanë mbajtur zemrën. Pretendohet statusi i zemrës, se Saimiri kishte një sëmundje të zemrës të padiagnostikuar më parë, por ajo zemër nuk është Saimirit, por dikujt tjetër.

Duan të thonë këtë gjë për të hedhur poshtë denoncimin për trafik organesh. Pa asnjë lloj investigimi, pa asnjë hetim. nuk është bërë asnjë lloj marrje në pyetje e personelit të spitalit dhe na japin këto dokumente për zemrën që nuk korespodojnë me vdekjen e Saimirit. Nuk ka dyshim që ajo zemër nuk është e Saimirit, është prishur ai protokolli i kujdestarisë. Zemra u nda për 1 vit e 3 muaj nga trupi i Saimir dhe ne nuk e dinim ku ishte. Nëse ne shkojmë ta marrim dhe i bëjmë ADN-në, nesër nuk mund të pretendoj që kjo nuk ishte zemra e Saimirit, ndryshe kur e bën Shqipëria”, u shpreh motra.

Ajo deklaroi se nuk do të ndalen kurrë.

“Unë i bëj thirrje z.kryeministër. Familja ime pretendon se pas 2 letër-porosive, e para nga ish-ministrja Gjonaj dhe e dyta nga ministri Manja nuk kam marrë përgjigje. Z. Manja i kërkonte autoriteteve spanjolle që zemra të sillej në Shqipëri.

Autopsia dhe konstatimi për mungesën e zemrës u bë në Shqipëri dhe dyshimet për trafik organesh nisën nga Shqipëria. Nuk mund të mbyllet si një lojë fëmijësh.

Unë kërkoj nga z. kryeministër, nga ministri i Drejtësisë, nga zonja Olta Xhaçka dhe prokurori i rastit, prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, të interesohen për rastin e vëllait tim, për trafik organesh dhe kërkoj t’i niset ambasadës spanjolle një notë verbale duke qenë se autoritetet spanjolle nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk kanë pranuar t’i bëjnë ADN-në zemrës. Nuk ka asnjë lloj përgjigje për këto 2 letër porosi. Lirisht nga shteti shqiptar mund t’i dërgohet një notë verbale ambasadës spanjolle në Tiranë. Është mungesë respekti për shtetin tonë që autoritetet spanjolle të mos kthejnë përgjigje për dy letër-porosi.

Nuk di nëse do të reagojnë apo jo, unë di vetëm që ne nuk do të ndalemi kurrë. I bëj apel këtyre zotërinjve të lëvizin, të dërgojnë notën verbale, të interesohen për trafikimin e organeve, që ka dy vjet që është hapur, nuk është bërë asnjë lloj hetimi. Nuk do ndalemi kurrë, familja jonë nuk do ndalet kurrë. Shumë herë kam kërkuar takim me Ramën, zoti kryeministër nuk ka pasur kohë të më takojë. Ne kërkojmë vetëm 3 shkronja, ADN-në, duam të gjejmë zemrën e vëllait. Trafikimi i organeve është një akuzë e rëndë, nuk mund të mbyllet kështu në hava”, deklaroi motra e viktimës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb