Historia dhe rrëfimi i Robert Dedajt ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” të autores Evis Ahmeti në News24. Roberti i ka dhënë shumë vendit të tij, por nuk ka marrë asgjë dhe ndaj ka trokitur në emision për të hapur zemrën për brengat që i janë akumuluar.

1 shkurti i këtij viti do ta vinte familjen e Robertit para një vorbulle që mesa dukej s’kishte fund. Ai arrestohet në operacionin “Trinomi” në mesnatë në banesën e tij, në prani të djalit të tij 16 vjeç. Ai rrëfen se ishte një moment tepër tragjik pasi as që nuk dinte se për çfarë bëhej fjalë dhe aq më tepër që vendosja e prangave ndodhi në sytë e një 16-vjeçari që sigurisht mbeti i traumatizuar për veprimin ndaj babait të tij. Roberti u arrestua me dyshimin për konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Por Roberti kishte gati 20 vite që ishte larguar nga funksioni si zyrtar i lartë i policisë, duke i shërbyer vetes së vet dhe familjes me anë të biznesit privat. Nuk do të zgjaste shumë kur Roberti do të fitonte pafajësinë për këtë akuzë të padrejtë pas 23 ditësh izolim në burg.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Nuk kam gjë me ata që erdhën në banesë, e kam fjalën për policinë e shtetit, por mënyra se si hynë në banesë atë duhet të diskutoj. Në rastin tim unë dua të them që është një gafë profesionale që i çon në nivelin zero. Gjëja e parë që ata duhet të merrnin ishte informacioni nëse unë punoja në polici apo jo pasi unë kisha 20 vite që isha larguar. Unë kam agjencinë investigative, biznes privat i imi. Shteti shqiptar duhet të më citoj si bashkëpunëtor dhe jo si problem, sepse po i shërbej me agjencinë time. Mua atë natë më bie dera, ishte rreth mesnatës sapo kisha mbyllur një punim në kompjuter, shkova e hapa dhe pash në derë rreth 20 policë. Më treguan një letër nga një Prokuror i Elbasanit ku urdhëronte arrestimin tim. Mirë që u arrestova në prani të fëmijës tim 16 vjeç, u trondit mënyra se si hynë brenda ata dhe si m’u vendosën prangat. Më arrestuan dhe më çuan për 23 ditë brenda aty ku ishin ata që unë kisha arrestuar, persona me precedentë të rëndë kriminal. Duke qenë edhe jurist meditova dhe kur rezultoi se në asnjë nga hapat që kisha hedhur në polici nuk kisha gabuar dhe shkelur ligjin. Gjatë 23 ditëve nga ata persona që ishin atje më bëhej organizimi ditor. Isha në një vend ku nuk duhet të isha, me dy fjalë: Nuk më vjen keq për ata njerëz që unë i kam çuar atje në burg, por pyetja ime ishte “po unë çfarë dua këtu”. Dita që unë dola në liri të plotë: Njeriu nuk duhet të urrejë në radhë të parë, por unë mora frymë lirshëm atë ditë. Djali im është shumë i përgatitur në IT dhe pak a shumë djali vazhdonte të punonte atë që duhet të bëja. Djali kur më pa pas 23 ditësh qau, unë ndjeva një dhimbje dhe keqardhje”, rrëfeu Dedaj.
Ish-polici kërkoi drejtësi dhe të vërtetën e pafajësisë së tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb