Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar në lidhje me deklaratën e deputetit të Bundestagut gjerman Josip Juratoviç, i cili tha dje se “një histori është në Bruksel, një tjetër në Moskë, e treta në Beograd”.

Presidenti serb thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ai shtoi se nuk beson që Josip Juratoviç e ka thënë këtë dhe se deklarata i është dukur e pabesueshme, raporton media serbe Danas.

“Le të analizojmë atë që unë them. Unë i them Putinit se Serbia është në rrugën evropiane, kur shkoj në Bruksel them se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Rusinë, por është në rrugën evropiane. Kur shkoj në Kinë, u them të njëjtën gjë. Ku e kam thënë ndryshe? Problemi është se ata mendojnë se kanë të drejtë të na fajësojnë dhe të na akuzojnë, sidomos kur është për nevojat e tyre të përditshme”, tha ai.

Kujtojmë se deputeti i Bundestagut gjerman dhe kryetari i Komisionit për Ballkanin Perëndimor Josip Juratoviç tha për të përjavshmen NIN se sanksionet ndaj Rusisë të vendosura nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin shenjë solidariteti me pjesën demokratike të bota nga Serbia.

“Nuk ka njerëz budallenj në Pekin dhe Moskë, ata e dinë se rajoni do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të jetë sfera e tyre e ndikimit. Megjithatë, vendet e rajonit tani duhet të zgjedhin një anë. Beogradi do të duhet të vendosë nëse dëshiron partneritet të mëtejshëm me ne. Dhe do t’ju kujtoj se rreth shtatëdhjetë për qind e investimeve në Serbi vijnë nga BE-ja, ose me dikë tjetër”, tha Juratoviç.

Ai shtoi dje se presidenti i Serbisë “deri më tani ka bërë manovra”.

“Ai kishte një histori në Bruksel, një tjetër në Moskë, një të tretën në Beograd, një të katërt në një fshat serb. Ne e dimë këtë prej vitesh, por nuk do të mund të funksionojë më e njëjta gjë,” tha Juratoviç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb