Duket se kërkimi i faljes ka mjaftuar për Stefano Manzi-n që të mos e padisë kolegun e tij Romano Fenati-n për incidentin e ditës së dielë në Moto 2 kur ky i fundit i kapi frenat teksa ecnin me mbi 200 km/h.

“Jam gati që ta fal. T’i japim kohë kohës, të qetësohemi dhe do ta fal një ditë. Nuk kam ngritur padi dhe as nuk kam pasur ndërmend të ngre padi. Dua ta mbyll këtë çështje dhe të vazhdoj përpara”, tha Manzi për sportmediaset.it.

Në lidhje me veprimin e çmendur të Fenatit, italiani tha se nuk pati frikë.

“Ishte një goditje e vogël, as nuk kisha kohë për të pasur frikë. Nuk ndodhi gjë”, shpjegoi Manzi.

Këto deklarata vijnë pasi Romano Fenati, autori i gjestit, vendosi që të tërhiqej nga motoçiklizmi në moshën 22-vjeçare.

“Nuk do të garoj më kurrë. Bota e motorëve nuk më përket më, ka shumë padrejtësi. Pranoj që gabova dhe u kërkoj falje të gjithëve”, ka deklaruar Fenati për “La Reppublica”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb