TIRANË

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi ka folur pas takimit që pati me ish-kreun e PD-së Lulzim Basha në ambientet e parlamentit ku në fokus kanë qenë diskutimet për tensionet dhe kërcënimet që ndodhën natën e mbledhjes së Kryesisë.

Korreshi tha se Basha është distancuar dhe ka deklaruar se i ka marrë vesh në mëngjes ato që kishin ndodhur.
Deputeti i PD tha se as Berisha, as Basha dhe as Alibeaj nuk duhet të jenë kryetarë të PD-së.

“Unë i kam thënë dhe vazhdoj të them skena të patolerueshme. Patjetër që iu ankova z. Basha. Këtë diskutuam atje, për të treguar se kush është përgjegjës, sepse mbështetës të z. Basha ishin. Ai u distancua nga kjo pjesë.
Unë ia kam thënë çdo herë. Takimi ishte më tepër për këtë pjesë. Unë i qëndroj qëndrimit tim, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj nuk duhet të kandidojnë më për PD-në sepse duhet të bashkojmë të gjithë shqiptarët, dhe ata që nuk janë demokratë.
Në qoftë se procesi nuk futet në shina, në binarë, nëse ka atakime nuk do të marr pjesë. Ka nevojë për një kthjelltësi. Si e gjykojmë ne, nëse nuk bëhet një procesi i paatakueshëm dhe nga demokrati i fundit nuk kemi arritur asgjë. Nuk kemi pse bëhemi pjesë e një procesi të cilin ia kam kërkuar dhe në grupin parlamentar dikur Sali Berishës. Mos nxitoni sepse nuk janë përfshirë të gjithë demokratët në këtë pjesë. Fakti solli që sot te pjesa e rithemelimit, pjesa e demokratëve që mendonin ndryshe nuk janë të përfshirë në struktura. Kjo ka sjellë ndasinë e demokratëve. Të njëjtën gjë po bëjmë ne sot. Çfarë po kërkojmë ne, të mos bëjmë të njëjtin nxitim. Duhet të ulemi të gjithë deputetët. Ia kam kërkuar z. Bardhi dhe ai nuk ka asnjë lloj kundërshtimi. Unë jam për PD-në siç ka qenë në vitin 2021”, tha Korreshi.

Ai deklaroi më tej se kishte dy momente për të cilën deputetët ndjenë realisht se ishte patjetër z. Basha.

“Momenti i parë u duk sikur këta u zunë në pritë në mbledhjen e Kryesisë, ku e gjithë kryesia ishte përballë deputetëve, ku dihej se pjesa më e madhe ishin mbështetës të z. Basha. Më pas pjesa jashtë e mbështetësve, e atyre zotërinjve që ata vetë i kanë etiketuar, ishin mbështetësit e z. Basha. 1+1 bëjnë 2. Ndaj sot unë i kam kërkuar deputetit Basha që të sqarojë pozicionin tij me mua personalisht. Sqaroi se distancohet, nuk ka lidhje me të dhe se e ka marrë vesh këtë vetëm në mëngjes.
Nuk jam për një proces që sjell z. Basha në krye të PD-së, me zor, me imponinë. Shpirtërisht jam që asnjë prej të treve të mos kandidojë më. Kanë marrë kosto dhe kanë përdorur gjuhë shumë të rëndë ndaj njeri-tjetrit dhe mbështetësit poshtë janë ndjerë të përdorur. Unë them që nuk është gjithmonë e rëndësishme të jesh lider. Nuk diskutohet që të tre janë të vlefshëm për të qenë në PD, por jo drejtues më”, tha Korreshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb