TIRANË

Deputetja e PS, Vasilika Hysi rrëfeu në rubrikën ‘Opinion’, në News24, arsyet e vendimit të saj për të mos kandiduar në zgjedhjet e 2021.

Hysi u shpreh se ky është një vendim personal i menduar gjatë, jo një vendim i minutës së fundit.

“Unë nuk e kam politikën profesionin tim. Unë erdha nga jeta akademike dhe mendova në një moment të caktuar, mendoj se në 12 vite, një mandat në opozitë dhe dy mandate në qeverisje, ishin të mjaftueshëm dhe mendoj që të vë një balancë më të mirë, mes punës familjes miqve.” – u shpreh Hysi, ndërsa shprehet se ndihet shumë e vlerësuar në PS.

E pyetur nëse i erdhi keq kryeministrit nga vendimi i saj, deputetja Hysi u shpreh se “Unë jam vlerësuar në të tre garat, ku kam pas pozicion shumë të mirë në listë dhe ky është një vlerësim. Ka dhe shumë të tjerë që e meritonin vendin, ku unë jam vendosur në listën e PS për Qarkun e Tiranës. PS ka dhe njerëz të tjerë, si unë, nga jeta akademike etj, që kërkojnë të kontribuojnë. Unë kam marrë shumë, duke qenë pjesë e politikës. Unë i kisha kërkuar takim kryeministrit dhe nuk e mendoja që do më priste, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe. Ja kisha kërkuar ka disa javë takimin, dhe i dërgova një email, ku menjëherë jam takuar. E vlerësoj shumë takimin për dy arsye të thjeshta, e para kur më ka ftuar të jem pjesë e politikës, ku çfarë më ka thënë, ka dalë, dhe që të ruaja profilin e të drejtave të njeriut. Për këtë i jam shumë mirënjohës kryeministrit dhe të gjithë kolegëve. Kështu që kryeministri nga njëra anë nuk e priste largimin, por vlerësoi faktin që unë i kam dhënë sa kam mundur dhe brenda hapësirave që mund të kesh në një parti. Unë jam e gatshme të kontribuoj, sidomos për atë që kam shumë përzemër, reformën në drejtësi”.

Më tej, nënkryetarja e Parlamentit tregoi edhe mënyrën si ja komunikoi vendimin e largimit kryeministrit Rama.

“E kam bërë me letër kohë më parë. Por jam takuar këto ditë me të. Shprehu keqardhje dhe vlerësoi faktin që unë nuk ikja me hatërmbetje. Është një vendim që unë e kam marrë me shumë qetësi. Ne jemi në fushatë elektorale dhe është krijuar një debat aspak i përshtatshëm për reformën në drejtësi. Përpjekjet për këtë reformë kanë filluar në vitin 2010”, tha Hysi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb