FIER

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeta” duke arrestuar një 56-vjeçar të shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës si dhe djalin e tij pasi është kapur me armë zjarri.


Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Interpol Tirana.


Nga informacionet e marra në rrugë operative policia ka bërë të mundur lokalizimin dhe më pas arrestimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A.I., 56 vjeç, banues në Fier.


Gjykata Themelore në Prishtinë ka dërguar urdhër-arresti për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm’.

Gjithashtu, gjatë operacionit, në ambientet e një lokali në Fier, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i djalit të tij shtetasi A. I., 33 vjeç, banues në Fier.

Nga kontrolli personal i ushtruar, 33-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër me 15 fishekë dhe një mjet prerës (biçak), të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të 33-vjeçarit A. I., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb