Cremonese dhuroi befasinë e madhe në këtë javë të Serie A, siguroi fitoren e parë sezonale dhe këtë e bënë përballë Romës. Verdhekuqtë e Jose Mourinho-s bien keq në transfertë, humbja 2-1 bëri që kryeqytetasit të lëshojnë vendin e katërt, me Lazio-n që përfitoi duke u futur në zonën Champions. Më në fund, Mourinho vendosi t’i besojë një fanellë titullari Marash Kumbullës, qendërmbrojtësi kuqezi qëndroi në fushë deri në minutën e 68-të kur portugezi vendosi të ndryshojë skemë duke kaluar në mbrojtjen me katër, paraqitja e tij u vlerësua me notën 6.

Cremonese kaloi në avantazh në minutën e 17-të, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë Jose Mourinho u ndëshkua me karton të kuq. Roma u rikthye në lojë në minutën e 71-të ku Spinazzola barazoi shifrat në 1-1. Atëherë kur të gjithë prisnin që Roma të përmbyste rezultatin, ishte Cremonese që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë duke dale me pikë të plota.

Jose Mourinho nuk e ka pritur mirë këtë humbje, por mbi të gjitha nuk ka pritur mirë kartonin e kuq të marrë me fillimin e pjesës së dytë ku theksoi se një arbitër përfaqëson autoritetin brenda fushës dhe nuk mund të mos tregojë mungesë respekti. Sipas ANSA, Prokuroria Federale pritet të hap një hetim pas deklaratave të Mourinho, shumë shpejt do të merren në pyetje trajneri dhe gjyqtari i katërt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: