Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” trokiti në shtëpinë e ndërtuar me kallamishte e qerpiç të Brikeldes dhe nënës së saj, në Krutje të Sipërme, një fshat i Lushnjes. Ashtu si shumë fshatra në Shqipëri, nuk është e vështirë që në këtë banesë që mezi mbahet në këmbë varfërinë ta gjesh me ‘bollëk’. Njëlloj ndodh në këtë shtëpi, ku era dhe shirat janë të mirëpritur sa herë i ‘thërret’ qielli. Banesa është e vjetër, por brenda saj ka ende një ëndërr. Quhet Brikelda dhe është 11 vjeçe. Brikelda jeton me nënën e saj Marie Davidhin, historia e të cilës me të vërtetë është e dhimbshme.

Maria 55 vjeç rrit e vetme dy fëmijë jetimë. Bashkëshorti i ka ndërruar jetë në moshën 70 vjeçare. Jetojnë në një shtëpi të vjetër të ndërtuar me qerpiç dhe kallama. Është e vetmja pasuri që u ka lënë kryefamiljari. Në të ashtuquajturën “shtëpi” nuk kanë energji elektrike. Vetë Maria është rritur jetime dhe ka një histori të trishtë. Në dyqan lista e ushqimeve të marrë borxh është kilometrike. Mjerimi i familjes Davidhi është i jashtëzakonshëm.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Historia ime është kjo, para 8 vitesh me ndërroi jetë burri. Jeta ime është shumë e vështirë . Vetë jam rritur jetime, rrita motrat dhe vëllezërit, deri 42 vjeç jam kujdesur për ta, i rrita edhe tani po rris një jetime. Me vuajtje me mundime jeta ime, më vjen keq për vajzën, nuk është si fëmijët e tjerë. Vajzën e kam me 10 por jetën e bëjmë shumë të vështirë. Nuk kemi as drita, me borxhe jemi, me 27 mijë lekë të vjetra nuk ia dal dot, jam në borxhe nuk më ndihmon njeri. U bëj thirrje fjala shtëpi është e rëndë po me aq sa ta kenë mundësi . Zoti vonon por nuk harron” thotë Maria.11 vjeçarja Brikelda e ndjek me dëshirë e vullnet shkollën. Për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” tregon se është një ndër nxënëset më të mira… pavarësisht vështirësive që përjeton çdo ditë. E një ndër to, është një mungesë e madhe që ndjen në zemër kjo vajzë… ajo është jetime. “Në shkollë kam nota shumë të mira, por më mungon shtëpita. Këtu ku jemi s’ka asnjë kusht. Babi, më mungon shumë.

Shumë e mërzitur jam, sepse jeta është e vështirë. Kur bie shi, këtu uji bie komplet brenda.”-thotë 11 vjeçarja. Dëshira më e madhe e Brikeldës është që të jetojë në një shtëpi. Nuk kërkon gjëra të mëdha, por një strehë të vërtetë mbi kokë dhe jo këtë grumbull të vjetër kallamishtesh e qerpiçi. Ajo ka ëndërr të bëhet mësuese, por shpesh herë e çon ndërmend, sesa e vështirë është të kesh një ëndërr të bukur, kur mbi kokë nuk ke një strehë. “Kam shumë dëshira, por më e madhja është të kem një shtëpi. Ëndrra ime është që të bëhem mësuese. Jam 11 vjeçe e jeta ime është shumë e vështirë. Unë i bëj thirrje shqiptarëve që mesa kanë mundësi, të më ndihmojnë. I lutem dhe xhaxhi Elvisit, që të më ndihmojë.”-tregon e mitura. Thirrja u dëgjua.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb