Artisti i madh Luan Zhegu ishte i ftuari i parë për këtë javë në “Dola te Ola”, ku foli për karrierën e tij të gjatë artistike dhe për jetën personale.

Luan Zhegu është artisti i dashur i disa brezave, me një zë brilant, të ëmbël dhe unik, që ka spikatur edhe për mënyrën e veçantë të interpretimit të tij. Të paharruara janë dhjetëra këngë të interpretuara prej tij në festivale.

Zhegu zgjodhi që në skenë të qëndronte statik, ashtu si e fillonte interpretimin e këngës, ashtu pa “i lëvizur qerpiku” e mbaronte, karakteristikë të cilën e ka ruajtur ndër vite.

Ai zbuloi se shumë persona e kishin porositur që të kishte kujdes, pasi disa këngëtarë para tij ishin ndëshkuar për thyerje të “rregullave” të asaj kohe.

Këngëtari shtoi se ai mundohej të punonte sa më shumë me zërin në mënyrë që ta ruante dhe të jepte më të mirën në skenë, në mungesë të performancës.

Luan Zhegu zbuloi se edhe ai sikurse e gjithë rinia shqiptare në atë kohë, ndiqte emisione të huaja në fshehtësi dhe preferonte të dëgjonte këngëtarët jugosllavë, më i adhuruari nga të cilët ishte Oliver Dragojeviç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb