Kreu i PD, Lulzim Basha ka shfaqur mbështetjen e tij ndaj pesë kërkesave urgjente të Shoqatës Shqiptare të Turizmit në këtë kohë pandemie.

Basha thotë se kërkesat janë të drejta dhe PD i mbështet dhe jo vetëm, por i bën thirrje qeverisë që sa më shpejt t’i marrë në konsideratë pasi janë aktualisht 93 mijë të punësuar në këtë sektor dhe 200 mijë të tjerë nga zinxhiri i këtij sektori që qeveria i ka lënë jashtë prej dy paketave financiare ndihmës.

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Sot prita drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit. Presidenti i shoqatës Enver Mehmeti, Kryetar i Sektorit të Hoteleve Zak Topuzi dhe Kryetari i Sektorit te Agjensive Turistike Sokol Hoxha më shprehën shqetësimin e thellë për krizën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria për sektorin e turizmit. Sektori i turizmit ka aktualisht të punësuar 93 000 persona dhe në rrjetin zinxhir të tij pothuajse 200 000 të tjerë, çka e bën edhe më jetike ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë në mbështetje të turizmit.

Deri më sot, operatorët nuk kanë përfituar mbështetjen për pagën e punonjësve dhe nuk kanë arritur as të përfitojnë nga garancitë sovrane, për shkak të vonesave në nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria.

Veç humbjeve të muajve të karantinës, shumica e prenotimeve për sezonin e ri janë anulluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Ne i mbështesim kërkesat e tyre të drejta dhe i kërkojmë qeverisë ti marrë ato në konsideratë sa më parë:

1.Të garantohet ndihma financiare me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.

2.Të jepet subvencionim i plotë dhe në kohë për kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

3.Të sigurohet likuiditeti përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.

4.Të anullohen/shtyhen detyrimet tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht si në kohë “normale”.

5.Të bashkëpunohet ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera fqinje, për të garantuar flukse të ndërsjellta turistësh dhe shtuar mundësitë për turizmin shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb