Thonë se familja është e shenjtë dhe motrat dhe vëllezërit bëhen krah i njëri tjetrit për çdo sfidë. Por, jo gjithmonë ndodh kështu. Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka qenë sot një i moshuar nga Otllaku i Beratit i cili ka kaluar një jetë shumë të vështirë me humbjen e të birit dhe ndarjen nga bashkëshortja. Ai do të rrëfejë se goditjen më të madhe emocionale e ka marrë nga gjaku i tij, nga e motra. Mëritë mes tyre shkuan aq thellë sa motrat nuk i erdhën as në varrimin e nënës e cila u nda nga jeta pak javë më parë.

“Familja ime ka qenë në gjendje shumë të mirë ekonomike. Kemi studiuar e punuar shumë. Motra është më e madhja dhe ka pasur marrëdhënie shumë të mira me prindërit. Por kur vdiq nëna dhe motrat nuk erdhën, më kanë futur në një siklet të madh. Më vret opinioni. Unë jam vëlla i vetëm, por s’kam pasur ndonjë privilegj. Më shumë e privilegjuar ka qenë motra e madhe. Edhe kur ajo u martua në Kukës babai i çonte pako me ushqime, para dhe florinj. Konfliktet me motrën kanë nisur më shumë kur unë po ndahesha nga gruaja. Ajo ndikoi shumë për keq. Më thoshte mua vrite gruan dhe djalin se do të të nxjerrim ne nga burgu. Më thanë do paguajmë 1 mln dollarë. Ato e donin ish-gruan time të vdekur sepse ajo ua dinte të gjitha maskarallëqet që kanë bërë motrat e mia.

Ato kanë 7 vjet nuk më flasin dhe tani kanë hapur fjalë e thonë qe unë i kam përzënë, por kjo nuk është e vërtetë.

Nënën e mbajti 3 muaj motra e vogël. I dhashë pensionin dhe çdo gjë tjetër. Ra korona dhe unë e mora nënën në shtëpi. Lekët nuk m’i ktheu i mbajti. Nëna ankohej më thoshte shikonte telenovela dhe në banjë më çonte dhëndri.

E mora në shtëpi dhe e pleqëroi nusja ime. E lante dhe e ushqente. Nëna i kërkoi motrat dhe në frymën e fundit, por ato nuk erdhën. Motra e vogël erdhi e pa nënën të sëmurë dhe i vodhi vathët e floririt. Motra e madhe vodhi mish në ceremoninë mortore të vëllait tim. Kam varrosur 6 vetë në familje dhe ajo s’më ndihmoi për asgjë. Ajo sa kishte florinj në shtëpi vinte për vizitë tani që mbaruan nuk vjen”, rrëfeu i moshuari.

Në një komunikim jashtë kamerave motrat e Kastriotit thanë se nëna vdiq e pa ngrënë dhe pa larë, ndërsa Kastrioti i mohoi.

“Këto janë gënjeshtra. Unë nuk kam më motra. Kur ato nuk vijnë në varrimin e nënës, s’kanë dashuri për asgjë më”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb