Qëndrimi në hije nuk të ndihmon shumë pasi temperatura edhe poshtë pemëve arrin në plus 40 gradë, ndërsa ajri është mbytës.

Tirana në dy ditët e fundit i ngjan një furre gjigande me temperatura të çmendura çka ka bërë që në rrugët dhe sheshet kryesore të lëvizin shumë pak kalimtarë. Mes tyre ka turistë që janë të detyruar të ndjekin guidat në vendet historike të Tiranës pavarësisht të nxehtit.

Të tjerë qytetarë përpiqen ta shuajnë vapën ekstreme në ujin e shatërvanit që për ta shihet si zgjidhja ideale në pamundësi për të shijuar detin. Syri të sheh edhe të moshuar që mezi lëvizin nga mosha dhe nga vapa që është rreziku numër 1 për shëndetin e kësaj grupmoshe në këto ditë të nxehta ferri.

Mjekët këshillojnë që të moshuarit mbi moshën 60 vjeç dhe fëmijët duhet të shmangin në mënyrë absolute daljet pas orës 11 të paradites e deri në orën 17.00 si dhe duhet të jenë të mbrojtur me kapele, dhe gjithnjë të hidratuar duke mos e ndarë bidonin me ujë nga dora.

Ndërkohë pa një kapele në kokë rreziku shumëfishohet dhe mund të jetë kërcënues edhe për mosha më të reja. E nesërmja pritet të manifestojë të njëjtën situatë sinoptike që ngjan me të nxehtin e një dekade më parë ndërsa kryeqyteti thuajse është zbrazur duke u spostuar drejt bregdetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb