Ndryshimet klimatike po ndikojnё cilёsinё e jetёs sё njerёzve nё qytete. Fundi i qershorit shënoi temperatura të larta e të pazakonta në qytete tё ndryshme nё Francë, Gjermani, Poloni, Zvicër dhe Republikën Çeke.

Vdekjet e shkaktuara prej të nxehtit prekin më së shumti fëmijët dhe të moshuarit. Të rrezikuar janë dhe njerëzit që vuajnë prej sëmundjeve kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes. Vala e të nxehtit që goditi Evropën në vitin 2003 shkaktoi vdekjen e rreth 70 mijë personave. Në të ardhmen, numri i viktimave prej temperaturave të larta, pritet të rritet.

Meqenëse valët e të nxehtit do të shpeshtohen, njerëzit që jetojnë në qytete do të vuajnë më shumë. Kjo pasi, nxehtёsia e qytetit “zihet nё kurth” prej betonit dhe asfaltit. Thёnё mё thjeshtё, ka njё ndryshim tё madh mes temperaturёs nё qytet dhe nё rrethinat e tij.

Në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë u zhvendos drejt zonave urbane dhe qyteteve të mëdha, si Tirana, në kërkim të një jete më të mirë. Në Tiranë, urbanizimi u shoqërua me ndërtime të pakontrolluara dhe zaptim të hapësirave të gjelbra. Kështu, në gati tre dekada, iu hap rrugë betonizimit dhe reduktimit të parqeve ose hapësirave të tjera të lira të qytetit të dikurshëm.

Në kushtet e sotme, një zgjidhje sado e këtij problemi do të ishte kontrolli i planifikuar i ndërtimeve, mbjellja e pemëve dhe shtimi i parqeve, sidomos në zonat e mbipopulluara. Gjithashtu, për shkak të vazhdimit të trendit të ndërtimeve, njё zgjidhje e dёshiruar afatshkurtёr do të ishte ndërtimi i tarracave të gjelbra si dhe lyerja me ngjyra të hapura e ndërtesave dhe rrugëve.

Tejet shqetësues për studiuesit është fakti se valët e të nxehtit dhe cilësia e ulët të ajrit janë të lidhura mes tyre. Në mos veç e veç, të kombinuar së bashku, këto dy faktorë ndikojnë në shëndet. Nga kërkimet për ndotjen e ajrit ka rezultuar se ajri me prani të lartë dioksidi karboni dhe squfuri shkakton sëmundje të mushkërive. Sipas Indeksit të Ndotjes për vitin 2019, Tirana klasifikohet një ndër qytetet më të ndotura në Botë. Masat qё duhen marrё pёr pёrmirёsimin e cilёsisё sё ajrit nё Tiranё nuk duhen mbetur në letër. Ato duhet tё jenё tё vendosura e tё menjёhershme. Kjo pasi në zonat urbane ku temperaturat dhe niveli i ndotjes janë të larta, edhe vdekshmëria është e lartë.

Një zgjidhje e këtij problemi, do të ishte ulja e nivelit të ndotjes në qytet, në sajë të vendimarrjeve të gjelbra politike. Zvogëlimi i gjurmës së karbonit në qytet mund të arrihet përmes përmirësimit të mëtejshëm të transportit publik, optimizimit të eficensës së energjisë në ndërtesa dhe përdorimit të paneleve diellorë. Këto janë vetëm disa nga masat qe mund të merren në nivel lokal. Ama rol vendimtar luajnë edhe kërkesat e qytetarëve ndaj politikbërësve.

Në kushtet e zhvillimit të pakontrolluar për gati tre dhjetëvjeçarë, në mënyrë që qyteti të jetë i jetueshëm, lind nevoja për marrjen e masave në dobi të shëndetit të qytetarëve. Këto masa, lipset të jenë të përputhshme me trendin e gjelbër, që vendimarrёsit tanë politikё duhet ta përqafojnë dhe ta pёrfshijnё nё axhendёn e tyre. Nё tё kundёrt, qytetarёt e Tiranёs por dhe tё qyteteve tё tjera nё Shqipёri, qё nё tё ardhmen do vazhdojnё tё pёrjetojnё egёrsisht valёt e tё nxehtit, do tё vuajnё pasojat e pritshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb