Zyrat e BBC-në Indi janë kontrolluar si pjesë e një hetimi nga autoritetet e tatimit mbi të ardhurat, pas transmetimit të një dokumentari në Britani që kritikonte kryeministrin indian Narendra Modi.

Dokumentari është fokusuar në rolin e kryeministrit në dhunën anti-myslimane në Hujrat në vitin 2002, kur ishte në pushtet.

“Shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë BBC, teksa ka shtuar se janë  duke bashkëpunuar me autoritetet indiane.

Edhe pse dokumentari është transmetuar vetëm në televizionet britanike, qeveria indiane është përpjekur të ndalojë njerëzit që ta shohin apo shpërndajnë atë. Kujtojmë që muajin e kaluar, policia në Dehli arrestoi disa studentë që ishin mbledhur për të parë dokumentarin. “The Modi Question”, është cilësuar në Indi si “propagandë armiqësore dhe mbeturina ati-Indiane”.

Në lidhje me incidentin ka reaguar dhe partia opozitare e Kongresit, KC Venugopal, duke thënë se “qeveria Modi është e frikësuar nga kritikat”.

“Ne i dënojmë taktikat frikësuese dhe të ashpra. Ky qëndrim jodemokratik dhe diktatorial nuk mund të vazhdojë më,” ka shkruar ai në Twitter.

Nga ana tjetër, një zëdhënës nga partia në pushtet, e përshkroi BBC-në si “organizatën me të korruptuar në botë”. Ndërsa, Shoqata e Redaktorëve të Indisë tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për kërkimet.

Dokumentari

Në dokumentar tregohen hapat e parë të Modi-t në politikë, duke përfshirë ngritjen e tij në radhët e partisë e deri në emërimin e tij si kryeministër në Gujarat. Theksohet një raport i pabotuar më parë, të marrë nga BBC nga Ministria e Jashtme e Britanisë, i cili ngre pyetje në lidhje me veprimet e Modi-t lidhur me trazirat fetare.

Trazirat filluan një ditë pasi një treni që transportonte pelegrinët hindu iu vu zjarri, duke vrarë dhjetëra njerëz. Më shumë se 1000 njerëz, kryesisht myslimanë, vdiqën në dhunën e mëvonshme dhe sipas raportit të Ministrisë së Jashtme, Modi ishte “përgjegjës i drejtpërdrejtë për ngjarjen”.

Dokumentari ishte pjesë e një hetimi të urdhëruar nga sekretari i jashtëm i atëhershëm i Britanisë, Jack Straw, pasi “shkalla e dhunës ishte shumë më e madhe se sa raportohej dhe qëllimi i trazirave ishte spastrimi i myslimaneve nga zonat hindu”.

Modi i ka mohuar akuzat por nuk ka kërkuar falje për trazirat e nxitura. Në vitin 2013, Gjykata e Lartë në Indi tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht kryeministrin e vendit.

Por, sipas BBC-së, qeverisë indiane u ofrua e drejta për t’iu përgjigjur dokumentarit, por është refuzuar.

Në lidhje me akuzat ndaj Modi-t, kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak tha “ne nuk tolerojmë persekutimin e askujt”.

Kjo nuk është hera e parë që India kontrollon zyrat e mediave të huaja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb