Pas performancave mbresëlënëse, duket se porta e Lacios ka fituar sigurinë edhe për shumë vite në të ardhmen. Kjo pasi siç raportojnë mediat italiane, portieri 21 vjeçar i Kombëtares, Thomas Strakosha, ka arritur akordin me klubin bardhekaltër dhe sot ka hedhur firmën në kontratën e re.
Strakosha-pritje-Lacio-470x261
Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, kishte siguruar prej kohësh një “po” nga futbollisti, me babain e të cilit, Foto Strakoshën, ka një miqësi të ngushtë. Por është pritur sa të qartësoheshin disa çështje brenda klubit para se të mbyllej edhe formaliteti i firmës në letër. Sipas “RadioSei”, ajo ka ardhur sot, duke lidhur Strakoshën me Lacion deri më 30 qershor 2022.

Kjo kontratë parashikon edhe një përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare për futbollistin shqiptar, i cili bëhet kandidati i parë për të zënë vendin Federiko Marketit kur ky i fundit të largohet nga Lacio.
strakosha-470x265
Edhe pse në mediat italiane është përfolur se Matia Perin apo Kejlor Navas mund të jenë portierët e Lacios në të ardhmen, në klub të gjithë duken të bindur se herët e vonë, Strakosha do të zbresë rregullisht në fushë me fanellën e klubit të kryeqytetit italian, edhe më shumë se sa po bën aktualisht kur është përgjigjur i gatshëm sa herë që Marketi ka shfaqur problemet e tij të zakonshme fizike.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb