Nga një vend i BE-së ku ka kërkuar azil politik, ish-drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit Agron Tufa padit në prokurori deputetin socialist Spartak Braho dhe ish-ambasadorin Fatos Tarifa pas deklaratave të tyre të bëra në një gazetë shqiptare.

Në padinë e siguruar nga “BalkanWeb” nga të akuzuarit Fatos Tarifa dhe Spartak Braho për fyerje dhe shpifje, kërkohet shpërblimi i dëmit në shumë 250 000 lekë.

Në padi përmendet puna e bërë nga Tufa dhe institucioni që drejtonte për zbardhjen e krimeve të komunizmit që pasoi me kërcënime të shumta jo vetëm në adresë të tij por edhe bashkëshortes dhe fëmijëve.

Më 3 dhjetor Agron Tufa u largua drejt Zvicrës dhe dha dorëheqjen prej aty nga posti i Drejtorit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmi.

Sipas padisë, “i dëmtuari shtetasi Agron Tufa me gjeneralitetet dhe adresën e mësipërme, me anë të kërkesës për gjykim drejtuar dhomës penale Tiranë, ka si shkak veprimet e të akuzuarit Fatos Tarifa që me anë të ‘Fyerjeve’ dhe ‘Shpifjeve’ kryera këto botërisht me anë të Gazetës ‘Dita’ kanë konsumuar kundërvajtjen penale parashikuar nga nenet 119 dhe 120 i kodit penal”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në padi duhet ndër të tjera se Tufa, si Drejtor Ekzekutiv i Institutit për studimin e Krimeve të Komunizmit ka studiuar pasojat e lëna nga krimi komunist në Shqipëri, me objekt, grumbullimin, ruajtjen dhe administrimin e materialeve që dëshmojnë krimet e komunizmit në Shqipëri, përfshi këtu të gjithë autorët, si funksionarë të shtetit komunist nga periudha 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990. Ai pretendon se për shkak të veprimtarisë së institucionit kanë nisur sulmet mediatike nga persona me edhe pa pushtet.

Në padi thuhet se sulmet nisën të intensifikohen pas publikimit me prova e fakte të krimeve të kryera nga komunistët duke filluar nga njësitet guerile prej vitit 1941 gjatë luftës civile 1943-1944 dhe më pas instalimin e regjimit barbar komunist dhe përgjegjësit e tyre i ka materializuar në një libër voluminoz. Dhe sipas arsyetimit, Tufa e ka bërë çdo veprim në përmbushje të funksionit të tij publik të përcaktuar në ligj.

Ai pretendon se ndaj tij kanë nisur sulme publike me fyerje e shpifje nga më të ulëtat që bien ndjesh jo vetëm me etikën humane por edhe me kodin penal. Tufa deklaron se ka pasur sulme e kërcënime nga persona anonimë, ku me anë të mesazheve kanë kërcënuar atë dhe familjen e tij për jetën.

“Përmbajtja e këtyre kërcënimeve ka qenë dukshëm për shkak të detyrës, sepse i kanë kërkuar se nuk duhet t’i zbardhë krimet e komunizmit…dhe se përmend emrat e të ashtuquajturëve luftëtarë partizanë apo ish-funksionarë të regjimit të diktaturës dhe në këtë mënyrë e kanë kërcënuar në vazhdimësi, për të cilat i dëmtuari akuzues ka paraqitur organit të Prokurorisë së Rrethit Tiranë edhe kallëzim penal”, thuhet më tej.

Për këto kërcënime Tufa ka vënë në dijeni edhe ambasadat e huaja në vend, atë të SHBA, BE, OSBE, etj.

Përveç zotit Tufa, kërcënime të drejtpërdrejta, verbalisht dhe me mesazhe kanë marrë edhe bashkëshortja me fëmijët e tij.

Në kushtet e sulmeve ndaj tij dhe familjes, më 3 dhjetor Tufa ka vendosur të largohet nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në një vend të BE-së dhe prej aty ka paraqitur dorëheqjen.

“Pa kaluar as 24 orë nga lajmi bërë publik nga mediat, për largimin e tij nga Shqipëria dhe kërkesës për azil politik, ndaj Z. Agron Tufa filluan përsëri sulmet, por këtë radhë ishin të identifikuara dhe erdhën nga i akuzuari shtetasi Fatos Tarifa, i cili me anë të një artikulli në gazetën ‘Dita’ me titull ‘Iku Tufa, një mashtrues e një plagjiator më pak’, të datës 4.12.2019 ka ‘fyer’ dhe ‘shpifur’ në forma të ndryshme si: ‘Qytetar i padenjë i Republikës..karrierën e tij akademike dhe profesionale e kish ngritur mbi një mashtrim të madh’, ‘plagjiator që vodhi studimet e të tjerëve dhe me to fitoi një gradë shkencore të pamerituar’, dhe ‘falsifikator i paskrupullt dhe i rrezikshëm’ e ‘drejtues i padenjë i institucioni’, ‘intelektual burracak e sherrxhi’ dhe ‘poet i përkëdhelur i të gjitha qeverive’. Të tjera fyerje dhe shpifje pasojnë; ‘S’kishte të hante, s’kishte veshmbathje, ishte i mbyllur për vite në burg’ dhe ‘jetonte në kushtet e një mungese të plotë lirie e dinjiteti njerëzor’, ‘në një proces gjyqësor pa asnjë meritë..që.. (Tufa) vetë e provokoi dhe si një burracak e braktisi’”, thuhet më tej në padinë ndaj Tarifës.

Sipas padisë, kjo vepër penale është kryer me dashje direkt për të cenuar në nderin dhe dinjitetin e tij.

Ndërkohë në padinë ndaj Brahos përmend deklaratat e tij të bëra ndaj Tufës që i konsideron shpifje dhe fyerje.

“…nga i akuzuari shtetasi Spartak Braho, i cili me anë të një artikulli në gazetën ‘Dita’ me titull ‘Pasi vodhi iku si të parët e tij ballistë’ të datës 4 dhjetor 2019 ka ‘fyer’ dhe ‘shpifur’ në forma të ndryshme si: ‘Hajdut e mashtrues i neveritshëm’, ‘njeri ordiner’ dhe ‘bëmat e ndyra të këtij njeriu’ si ‘vjedhjet e institucionit që drejtonte’, ‘abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë’ e ‘plagjiaturë në universitet’. Të tjera fyerje dhe shpifje pasojnë; ‘Ai (Tufa) iku i ngopur me lekët e shtetit dhe të kuvendit, tek të parët e tij që ikën si minj’ dhe ‘pavarësisht se zullumet e tij nuk kanë të sosur…për hajdutllëqet e tij’, ‘hajdut me vese tejet të rrezikshme shoqërore’, ‘milionat e qeverisë nuk i munguan dhe me siguri ka marrë me vete andej nga ka shkuar’.

Më tej thueht se “‘i akuzuari me anë të këtyre fjalëve ka shpifur duke fyer, viktimës akuzuese, shtetasin Agron Tufa. I akuzuari Spartak Braho, e di që shtetasi Agron Tufa nuk ka qenë asnjëherë anëtar i organizatës së Ballit Kombëtar dhe të parët e tij nuk kanë qenë ballistë por duke shpifur ka për qëllim të dezinformojë opinionin publik për fakte që nuk ekzistojnë”.

Po kështu sipas padisë, “i akuzuari Spartak Braho është i vetëdijshëm që viktima nuk ka qenë asnjëherë ndjekur penalisht apo i proceduar administrativisht për hajdut dhe mashtrues, madje edhe i cilësuar si njeri ordiner, por me këto fraza të përdorura gjatë intervistës ka shpifur dhe fyer me qëllimin e vetëm për t’i ofruar opinionit publik se Agron Tufa nuk është ai që ju njihni për njeri të ndershëm por si njeri me vese dhe probleme me moralin”.

Po kështu për akuzën për vjedhjen e fondeve publike nuk rezulton në ndonjë akt kontrolli administrativ por edhe në regjistrat e prokurorisë që ndaj z. Tufa të jetë depozituar ndonjë kërkesë apo denoncim se ka shpërdoruar apo vjedhur fondet publike të shtetit shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb