SPAK përfundon hetimet për Gentian Goskovën dhe Ervis Kosovën të akuzuar se tentuan të helmonin Luftar Reçin,
i penduar i drejtësisë në procesin ndaj Emiljano Shullazit.

Shullazi dhe 6 të tjerë akuzohen për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Vajdin Lamajt.

“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.252/4, viti 2022
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.252/4 të vitit 2022.

Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:
1. Gentian Goskova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.

2. Ervis Kosova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.

Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme (deklarime të marra në funksion të procedimit penal nr.252/2020), duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të parashikuara nga nenet 312-25 i Kodit Penal”, njofton SPAK.

Sipas dosjes hetimore, Reçi do të ekzekutohej duke përdorur helm në ushqimin që ai do të konsumonte.

Ky skenar do të vihej në jetë, gjatë kohës kur Gentian Goskova ose “Reqi i Korçës”, negocionte me familjarë të Luftarit, që ai të tërhiqte dëshminë kundër Emiljano Shullazit, për vrasjen e Vajdin Lamajt.

Pjesë e kësaj skeme për helmimin e dëshmitarit, ka qenë dhe Ervis Kosova, një njeri i besuar i Shullazit.

Sipas dosjes hetimore “Reqi” dhe Kosova, mbanin kontakte me një punonjës të burgut të Drenovës në Korçë, aty ku mbahet bashkëpunëtori i SPAK.

Por punonjësi i burgut, E.P., njëherësh mbante kontakte dhe më prokurorin e SPAK-ut që ndjek çështjen e Shullazit, duke e informuar për çdo situatë dhe bisedë që bënte me dy personat.

Sipas hetimeve, E.P, ka treguar se gjatë një bisede që ka zhvilluar me “Reqin” në datën 28 dhjetor 2021 në zonën përballë “Terminalit të autobusave”, ai i ka thënë: “si mundet ta heqim qafe atë malokun dibran, të japim ty 10 mijë euro parapagim dhe ilaçin dhe më pas 90 mijë euro t’i japim kur të mbarosh punë”.

Punonjësi i policisë së burgjeve, i ka pohuar “Reqit” se do flisnin prapë, dhe këtë gjë e ka bërë që të fitonte kohë me qëllim për të njoftuar dhe prokurorinë për këtë skenar.

I infiltruari i SPAK-ut në këto negociata dhe marrëveshje për të eliminuar Luftar Reçin brenda në burg, ka treguar dhe një takim tjetër me “Reqin” dhe Ervis Goskovën ku i kishin dhënë edhe ilaçcin që duhej t’i hidhej në ushqim të dënuarit.

Dëshmitari ka thënë se Reqi dhe personi tjetër, e kanë dërguar me makinë deri tek IEVP Drenovë.

“Rreth 150 metra, pa arritur tek porta personi që ishte në vend të parë, zgjati dorën dhe më dha një shishe farmacie me ngjyrë kafe duke më thënë: “…ju e merrni ushqimin e tij (Luftarit) dhe ja çoni në dhomë, ke mundësi të hedhësh 5 pika nga ky ilaçi që ka shishja, në ndonjë vend pa kamera dhe t`ia japësh Luftarit, që ta hajë. Personi, pasi ma dha ilaçin më tha: Nëse nuk e bën këtë punë të pret plumbi”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb