Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke komentuar deklaratat e mbrëmjes së djeshme të ish ministrit Arben Ahmetaj, në lidhje me përfshirjen e tij në aferën e inceneratorëve.

Kujtojmë se Ahmetaj u shpreh se duhet të shkohet pas parave për të gjetur përgjegjësit e vërtetë të kësaj afere.

Meta, në një intervistë për SyriTv, u shpreh se kryeministri Rama fillimisht i përdor njerëzit pranë tij për të shkelur ligjin, dhe më pas i braktis me qëllim të të shpëtojë veten.

“Këtu kemi të bëjmë me avazin e përhershëm të Edi Ramës që i përdor shokët, njëherë për të shkelur ligjin për interesin e tij dhe pastaj i zhyt edhe më thellë në baltë që ai vetë të zhytet sa më ngadalë dhe sa më vonë.

Është ai në krye të aferës së inceneratorëve. Ishte e qartë edhe nga Ahmetaj dje, që nuk kishte ky kaq fuqi sa të lëvizte qeverinë. Unë kam qenë kryeministër. Pasi ika, kam marrë të gjitha aktet e mia dhe në 2 vjet e ca nuk ka një akt qeverie që të jetë miratuar me kundërshtimin e ministrave të caktuar, sidomos të ministrit të Drejtësisë dhe Financave. Si mundet 17 vendime të bëhen sot për nesër? Vetëm fuqia e kryeministrit dhe një kryeministër brutal dhe i papërgjegjshëm mund ta bëjë këtë”, u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb