Në emisionin “Opinion”, ishte i ftuar avokati i ish-deputetit Alqi Bllako, Sokol Hazizaj.

Për avokatin, klienti i tij është i pafajshëm dhe akuzat e ngritura nga SPAK janë të pa logjikshme. Ai pretendoi se Bllako, nuk ka konsumuar vepra penale.

“Janë dy dyshime për mua janë të pa logjikshme. Është akuza ose dyshimi se ka kryer veprën penale të korrupsionin pasiv dhe atë të shpërdorimit të detyrës. Po të shihet në themel, konstatohet se Alqi Bllako si ka konsumuar këto vepra penale, është përtej arsyes. (Po babai i Alqi Bllakos?) Po të shihni dhënien e lejes së koncensionarit, nuk ka asnjë firmë nga Alqi Bllako.

Kjo duhet ndarë në tre vektorë, është bërë nga Ministria e Mjedisit, ministrit, komisionit i ngritur nga ministra. Është Bashkia Fier dhe operatori. Janë tre dimensione. Duhet parë me vëmendje. Nuk ka pasur tager për të shtyrë afatet e koncensionareve. Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, ka bërë thjesht përcjelljen e dokumentacionit.

Vetëm kaq. Vendimi i vitit 2019 për zhvlerësimin e tokës për koncensionarit ishte një çmim toke i referuar çështjes juridike, i referuar nga Hipoteka e Fierit”, tha Hazizaj.

Hazizaj tha ndër të tjera se arrestimi i Bllakos mund të ndodhë nga momenti në moment, ndërsa shtoi se ish-deputeti ka respektuar të gjitha direktivat ligjore në çdo veprim të tijin.

“Mbledhja e komisionit të mandateve ka qenë në orën 18:00. Alqi ka ushtruar të gjitha tagerat ligjore të parashikuara. Me vetëdije të plotë, ai i është nënshtruar të gjitha rregullave. I mbrojturi prej meje nuk ka firmosur atë shkresë që thoni ju. Siç bëhen shkresat në administratën publike është konceptoi dhe nënshkroi.

Pra në rastin konkret konceptimi është e Sekretarit të Përgjithshëm, nënshkrimi është gjë tjetër. Nëse masa e sigurimit me dorëzimin e mandatit është fare normale, merret në praninë e prokurorit dhe mungesën tonë. Organi procedural i hetimit mund të bëj arrestimin e tij, kudo ku ndodhet. Ndalimi mund të ndodhë nga momenti në moment. Bëhet vlerësimi nga gjykata. Në këto kushte mendoj se zoti Bllako me dorëheqjen që ka bërë është i detyruar t’i nënshtrohet akteve procedurale dhe ligjore”, tha avokati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb