Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur sërish për luftën në Ukrainë, duke përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Ukrainës.

“Nuk ka dyshim se këta njerëz të guximshëm, që mbrojnë vlerat tona me jetën e tyre, i përkasin familjes evropiane”, ka thënë ajo.

Më tej, Von der leyen është shprehur se BE do iu sigurojë refugjatëve ukrainas mbrojtje, qëndrim, qasje në punë dhe strehim, duke shtuar se “nuk është vetëm një akt dhembshurie në kohë lufte, por është edhe detyra jonë si evropianë”.

Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, Presidentja e KE ka njoftuar krijimin e një “qendre të mbrojtjes civile për Ukrainën”, me bazë në Rumani, për të ofruar ndihma humanitare. “Ne po ofrojmë mbështetje humanitare për t’u përballur me pasojat e kësaj lufte dhe do të shpërndajmë të paktën 500 milionë euro nga buxheti i BE-së në ndihmë humanitare, dhe sigurisht që do të ketë edhe më shumë. Ne duhet të përgatitemi për pasojat shkatërruese të kësaj lufte mizore”, ka thënë shefja e KE.

Sa i përket sanksioneve, Von der Leyen është shprehur se “qëllimi i BE-së është të ndërpresë kapacitetin e Kremlinit për të luftuar fqinjët e tij”, duke paralajmëruar edhe “hapa shtesë, nëse situata përkeqësohet në terren”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb