Nga: XHENSILA KODRA
TIRANE – Gjergj Prenga, personi i cili mbeti i plagosur në atentatin që iu bë ish-drejtorit të OSHEE-së për Veriun, Saimir Jaku, i bën apel shtetit për ndihmë, pasi gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në ngjarjen e ndodhur më 9 shtator të këtij viti në një lokal në qendër të Rrëshenit, ku autorët (të paidentifikuar ende), të maskuar e të armatosur qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj Jakut, 4 prej plumbave kapën edhe 50-vjeçarin Prenga. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon se i ka kërkuar ndihmë edhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij.
Kanë kaluar rreth dy javë nga ngjarja e ndodhur në qendër të Rrëshenit, ku i vrarë mbeti Saimir Jaku, ndërsa ju u plagosët me 4 plumba në trup. Si është gjendja juaj aktuale pas kaq ditësh?
Unë fatmirësisht shpëtova, por gjendja ime tashmë ka filluar të përkeqësohet. Nga 4 plumbat që mora, 2 prej tyre më kapën krahun e djathtë. Sipas një klinike greke së cilës unë i kam çuar të gjitha grafitë e mia, plumbat kanë thërrmuar të gjitha kockat. Plus kësaj, plumbat kanë dëmtuar edhe nervin. Jam tronditur shumë në momentin që mjekët më kanë thënë se duhet të më bëhet transplanti i nervit. Unë jam me diabet dhe këtu mund të rrezikoj krahun. Sa më parë ta bëj ndërhyrjen, aq më mirë për mua. I jam drejtuar me mesazhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për të më ndihmuar. Kam pasur dhimbje të jashtëzakonshme, dhimbje që nuk mund të durohen. Gjendja ime po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Po më rrezikohet jeta.
Ju thatë se keni kontaktuar me ministrin; ju ka kthyer përgjigje?
Jo, nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. As “të shkuara” nuk më tha. Më dërgoi vetëm drejtorin e spitalit, Gjovalin Bushi.
Drejtori, ju tha se e kishte dërguar ministri?
Po. I thashë se çfarë shqetësimesh kisha. Më pas i kam dërguar sërish mesazh ministrit dhe nuk më ka kthyer akoma një përgjigje se çfarë do të bëhet me mua. I kam kërkuar të më çojë jashtë vendit.
Po mjekët e spitalit, çfarë ju kanë thënë?
Këtu më kanë thënë se në fillim duhet të mbyllet plaga, pastaj të bëjnë ndërhyrjen. Kurse klinika në Athinë më ktheu përgjigje se nuk ka asnjë problem plaga, pasi ndërhyrja duhet të bëhet urgjente: sa më parë, aq më mirë! Ua kam thënë mjekëve këtë gjë dhe më kanë thënë “do ta shohim mundësinë këtej” e “do ta shohim andej”, dhe deri më tani asgjë. Por, kirurgu Erjon Çato më ka qëndruar pranë në çdo rast dhe dua ta falënderoj për këtë. Përveçse më ka bërë mjekimet, më ka dhënë edhe forcë për hallin që më ka rënë. Vjen çdo ditë këtu dhe më jep kurajë.
Po mjekët, ju kanë dhënë ndonjë informacion më të detajuar pse ju thonë se fillimisht duhet mbyllur plaga?
Nuk kam arritur ta kuptoj këtë gjë. Nuk di nëse nuk kanë mjete të më bëjnë ndërhyrjen apo nuk kanë fonde.
Cili është apeli juaj?
Unë i kërkoj shtetit që të më çojnë për të kryer transplantin në një klinikë jashtë shtetit, që të më bëjnë edhe nervin, edhe kockën. Sepse unë tani po rrezikoj të humb krahun, ndoshta edhe më shumë se kaq. I kërkoj ministrit që të më çojë në një klinikë dhe të më heqë të gjitha shpenzimet. Unë kam qenë i siguruar. Kam pasur një biznes të vogël dhe i kam paguar shtetit çdo lloj takse. Duhet ta bëj ndërhyrjen sa më parë, para se të më rrezikohen krahu dhe jeta.
Ku keni punuar më parë?
Kam punuar në linjën Tiranë-Athinë me autobusët e Greqisë. Para shumë vitesh jam marrë edhe me transportin e mësuesve.
Nëse nuk merrni ndihmë nga shteti, si do të veproni më tej?
Nuk kam se çfarë të bëj vetëm, sepse nuk kam asnjë mundësi për të paguar ndërhyrjen. Nëse shteti nuk më jep ndihmën që më duhet, do t’i drejtohem ambasadorit amerikan. Vetëm ai mund ta gjejë të drejtën.
Ju vetë me të ardhurat tuaja, nuk keni mundësi të kuroheni jashtë vendit?
Jo, nuk kam mundësi, sepse shuma që më kanë kërkuar është marramendëse. Unë kam për të vdekur këtu dhe shumën nuk mundem ta paguaj. Ministri vetë thotë “shëndetësi falas”, e nga krahu tjetër të lë të vdesësh.
Sa kushton ndërhyrja që duhet të bëni?
Klinika greke më ka kërkuar 20 deri në 25 mijë euro.
Çfarë shprese të kanë dhënë pasi të kryhet ndërhyrja?
Më kanë dhënë 100% shpresë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb