Pas dështimit për t’u bërë pjesë e Interpol, Qeveria e Kosovës ka reaguar menjëherë duke shprehur zhgënjimin për votat kundër, të cilat i penguan shtegun Kosovës drejt familjes botërore të policive.

Përmes një deklarate për mediat, Kosova falënderon të gjitha vendet që votuan pro, ndërsa mes tjerash në reagim theksohet fakti se Kosova nuk do të ndalet në rrugën e konsolidimit të institucioneve.

Sipas saj, lufta dhe përpjekjet e Serbisë për të penguar këtë anëtarësim, e tregojnë qartë raportin e saj me shtetin e Kosovës dhe përmirësimit të raporteve.

“Sot, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.

Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti. Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm. Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb