PERMET- I ftohtë dhe pa asnjë shenjë pendese për krimin e rëndë që kreu, ku në kushte marrëzie i preu kokën me thikë bashkëfshatarit të tij të moshuar, Alban Voda trondit sërish me deklaratën e tij. Nga salla e gjyqit, 30-vjeçari pohoi para trupës gjykuese se nuk ndiente aspak pendesë për vrasjen e Nesim Hoxhës.

Ai vijoi me deklaratat e tij shokuese, ndërsa është shprehur se kishte bërë mirë që e kishte vrarë, duke befasuar me pyetjen e tij: ‘Se mos është akoma gjallë?’.

Gjatë seancës gjyqësore, ku ndaj tij u caktua dhe masa e sigurisë ‘arrest me burg’, dolën në dritë dhe detaje të reja nga krimi. ‘BalkanWeb’ mëson se 66-vjeçari Nesim Hoxha ishte i ulur në kohën kur Voda ka shkuar dhe e ka qëlluar nga pas me thikë. Si fillim e ka goditur në brinjë dhe pasi ka parë që ai nuk kishte ndërruar jetë, i ka prerë kokën. Dje, Alban Voda shokoi me dëshminë e tij në polici, duke justifikuar veprimin ekstrem me pretendimin se e kishte vrarë të moshuarin, pasi ky i fundit po tentonte ta mbyste me kokërr ulliri.

Alban Voda, autori i vrasjes
Alban Voda, autori i vrasjes

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së dielës, ku 30-vjeçari Alban Voda shkoi deri në marrëzi, duke i prerë kokën pensionistit. Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe dëshmive të banorëve të zonës, ka dyshime se kohët e fundit i riu vuante nga depresioni.

Ish-komandoja i cili ka shërbyer edhe në Irak, kishte probleme të shëndetit mendor, por sipas policisë ai nuk ka pasur një kartelë mjekësore nga Spitali Psikiatrik që ta evidentonte atë. Po ashtu, dyshohet se më herët mes këtyre dy personave ka pasur konfrontime për motive pronësie. Tashmë Voda, i cili u arrestua vetëm pak minuta pas vrasjes akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb