PARIS – Publikohen foto të terroristit Salah Abdeslam, 12 orë pas masakrës së 13 nëntorit në Paris, ku u vranë 130 persona. Terroristi i shpallur në kërkim shfaqet i qetë, me duar në xhepa, pranë një pike karburanti, rrugës për në Belgjikë.

Sipas pamjeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë së karburantit, Salah pritej nga dy persona në kufi me Belgjikën, të cilët e kanë ndihmuar për të kaluar kufirin në 14 nëntor. Policia ka identifikuar dy shokët e terroristit, Mohammed Amri dhe Hamza Attou.

Mësohet se gjatë udhëtimit të tyre me një makinë tip Golf, policia i ka ndaluar tre herë, por i ka lënë të lirë, sepse Salah Abdeslam nuk ishte konfirmuar ende si një ndër terroristët e Parisit.

Në pikën e karburantit, ku janë fiksuar pamjet, Salah ka qëndruar për 12 minuta, bashkë me shokët e tij. Rreth orës 10:00 të 14 nëntorit, ata janë nisur drejt Brukselit, ndërsa Salah Abdeslam ka zbritur në komunën Laeken.

Që prej asaj dite, policia vijon gjuetinë për terroristin, por nuk ka ende asnjë gjurmë të tij. Ndërkohë, shokët e tij, Mohammed Amri dhe Hamza Attou janë arrestuar në Molenbeek.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: