NGA: Ola Mitre*
TIRANE- Të gjithë ata persona që janë regjistruar nëpër zyrat e punës duhet të paraqiten çdo muaj ose sa herë t’u kërkohet pranë tyre për të konfirmuar statusin e punëkërkuesit. Detyrimi i “çuditshëm” vlen jo vetëm për ata që përfitojnë ndihmën ekonomike apo pagesën e papunësisë, por për çdo punëkërkues të regjistruar, të cilët më së shumti vetëm sa shprehin besueshmërinë se zyra e punës do të arrijë t’i punësojë. Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për Punëkërkuesit”, i cili tashmë ka mbërritur në Kuvend për diskutim.

Sipas tij, në rast se të regjistruarit nuk do të paraqiten çdo muaj, atëherë do t’u hiqet apo refuzohet statusi i punëkërkuesit. Një tjetër detyrim që u lind këtyre personave nga ligji i ri është edhe raportimi i përpjekjeve individuale për të gjetur një punë. Por, ndonëse këto përpjekje private të individëve duhej të vlerësoheshin nga strukturat shtetërore, duket se ata rrezikojnë sërish statusin ‘nëse harrojnë ta deklarojnë’.

“Ai është i detyruar të deklarojë në zyrën përkatëse të punësimit, çdo muaj, aplikimet për punë që ai ka bërë individualisht. Zyra e punësimit duhet të bëjë verifikimet përkatëse për vërtetësinë e informacionit të deklaruar nga punëkërkuesi. Në rast mospërputhjeje të tij me verifikimin, zyra përkatëse e punësimit e thërret dhe e riinterviston punëkërkuesin. Pas intervistës, zyra përkatëse e punësimit merr vendim për heqjen ose jo të statusit të punëkërkuesit”, thuhet në projektligj.

HEQJA E STATUSIT
Ndërkaq, përveç rasteve të mësipërme, ligji i ri ka parashikuar një sërë rastesh, në të cilat punëkërkuesit e regjistruar në zyrat e punës mund të humbasin apo t’u refuzohet statusi. Më konkretisht, në ligj thuhet: “Heqja ose refuzimi i statusit të punëkërkuesit kryhet nëse oferta e punës apo programet e tjera të përshtatshme, që ofrohen, kundërshtohen, refuzohen apo nuk pranohen, si gjatë intervistimit të parë, ashtu edhe në takimet e radhës, në vijimësi, kur punëkërkuesi:
a) refuzon një vend pune të përshtatshëm, qoftë edhe një herë të vetme;
b) nuk kërkon më punë dhe e deklaron një gjë të tillë;
c) refuzon pjesëmarrjen në programet e nxitjes së punësimit apo programe të tjera punësimi;
ç) refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional falas, i cili vlerësohet se ndihmon integrimin e tij në tregun e punës;
d) ndërmjetësohet në punë;
dh) ka gjetur vetë punë;
e) nuk paraqitet në zyrën e punësimit një herë në muaj apo sa herë i kërkohet një gjë e tillë;
ë) konstatohet se ka bërë një deklaratë false dhe kjo konsiderohet vepër penale”.
Kjo do të thotë se, të gjithë ata punëkërkues të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike apo pagesë papunësie, nuk do të mund ta marrin më, në rast se nuk zbatojnë rregullat e mësipërme.

SHIFRAT
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, me hyrjen në fuqi të tij do të bëhet e mundur që të identifikohen personat, që realisht kërkojnë një punë. Ndërkohë që, sipas ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ai “do të zhdukë dembelizmin, pasi ata që regjistrohen në zyrat e punës, më së shumti e bëjnë këtë për të përfituar ndihmën ekonomike dhe jo për të gjetur një punë”.

Por ndryshe nga sa deklaron ministri, shifrat e servirura nga MMSR-ja thonë se vetëm 48% e të regjistruarve përfitojnë nga këto programe, ndërkohë që 52% e tyre nuk kanë asnjë përfitim, nga fakti se janë regjistruar në zyrat e punës. Sipas relacionit shoqërues, “në zyrat e punësimit aktualisht janë të regjistruar 152 mijë punëkërkues. Nga këta, 43% janë përfitues të ndihmës ekonomike dhe 5% janë përfitues të pagesës së papunësisë. Interesimi i grupeve të skemave me mbështetje me të ardhura, siç është ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë, për t’u punësuar, është shumë i ulët”.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: