Nga: REDINA KARAPICI*
Papunësia e të rinjve është një nga sfi dat më të mëdha, që shumica e vendeve të BE-së po përballen sot. Rreth 5 milionë të rinj (nën moshën 25 vjeçare) në zonën e BE, rezultonin të papunë në qershor 2014, nga të cilët mbi 3,3 milionë bënin pjesë në zonën e euros. Kjo paraqet një normë papunësie 22% e të rinjve në BE dhe do të thotë, që më shumë se një në pesë të rinj në BE nuk mundet të gjejnë një punë. Ndërsa, në Greqi dhe Spanjë, situata është edhe më e rënduar dhe një në dy të rinj është i papunë. Nga ana tjetër statistikat flasin për një hendek tepër të madh mes nivelit më të ulët dhe atij më të lartë të papunësisë në vendet anëtare, ( Gjermania 7.8% dhe Spanja 53.4%). Ndërsa gjendja nuk mund të vazhdojë kështu. I ri dhe papunë, jo më kështu!., është bërë sot një motiv i lartë udhëheqës në zbatim të projektit të madh të Bashkimit Europian për punësimin.

Dukuria “i papunë në Europë” është një shqetësim serioz për të sotmen dhe të ardhmen e Unionit me 28 vende anëtare. Akoma më shqetësuese bëhet dukuria papunësi, marrë parasysh politikat e fqinjësisë dhe zgjerimit me vende të reja. Ja pse këtij shqetësimi Bashkimi Europian i është përgjigjur duke ngritur një mekanizëm të rëndësishëm të quajtur “Garancia Rinore”. Programi ka për synim jo vetëm punësimin. Në të përfshihen edhe edukimi edhe trajnimi i 7.5 milionë të rinjve europianë, duke i lejuar ata të japin kontributin e tyre pozitiv në shoqëri. Edukimi profesional dhe trajnimi janë parakushte të rëndësishme për punësimin dhe të dy këto komponentë përbëjnë thelbin e programit “Garancia Rinore”. Në vitin 2013 Këshilli i Ministrave të BE dhe Këshilli i Europës miratuan edhe skemën e financimit të këtij projekti.

Sipas kësaj skeme, vendet anëtare duhet të sigurojnë se: Pas një kërkimi prej 4 muajsh për mundësinë për të fituar një punë, çdo i ri nën moshën 25 vjeçare “ka të drejtën t’i ofrohet një punë cilësore”, e cila i përshtatet edukimit, aftësive dhe eksperiencës së tij. Në rast të kundërt, atyre u mundësohet mbështetja e duhur nëpërmjet arsimimit apo trajnimeve të ndryshme, në mënyrë që ata të fitojnë aftësitë e duhura për të gjetur një punë në të ardhmen. Që nga viti 2014 dhe deri në vitin 2020 kjo skemë do të financohet nga Bashkimi Europian, nëpërmjet Fondit Social Europian me një shumë të përgjithshme prej 12.7 miliardë euro. Njëkohësisht, vendet anëtare do të ofrojnë fonde shtesë për zbatim reformash strukturore në fusha të tilla si sistemi arsimor dhe trajnimi, në mënyrë që të përmirësohet faza tranzitore shkollë-punë, si dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë. Ky projekt mund të mbështetet edhe nga fondet e kompanive private, që operojnë në fushën e edukimit, trajnimit dhe të kualifikimeve.

E ndërsa kjo është një skemë financiarisht e shtrenjtë për tu zbatuar, alternativa tjetër do të ishte edhe më e shtrenjtë, vazhdimi i realizimit të kostove të mëdha sociale dhe ekonomike si rezultat i papunësisë. Të ardhurat publike dhe taksat të munguara nga kjo kategori, sipas Agjencisë EUROFOUND të BE-së, vlerësohen në 153 miliardë euro në vit, d.m.th, mbi një për qind e PBB të Bashkimit Europian. Megjithatë suksesi i kësaj nisme ndëreuropiane nuk mund të jetë e mirëqenë, pasi pyetje serioze na mbeten ende pa përgjigje. Ndër risqet kryesore, që mund të identifikohen në mbarëvajtjen e nismës janë përshtatshmëria, apo mjaftueshmëria e skemës financiare, cilësia e rezultatit që i ofrohet kësaj kategorie, si dhe mënyra e monitorimit të produktit përfundimtar nga Komisioni Europian. Adresimi i këtyre rreziqeve, që në hapat e parë të projektit, do të ishte çelësi i suksesit për efektivitetin e kësaj nisme.

Gjykata Europiane e Auditimit në Luksemburg vlerëson se Komisioni e ka ofruar mbështetjen e vet dhe kohën e duhur për vendet anëtare, në krijimin e skemave të tyre të “Garancisë Rinore”. Megjithatë, vërejnë, se nuk janë bërë vlerësimet e duhura mbi impaktin, vlerësime të cilat përcaktojnë dhe kostot dhe përfitimet e pritshme, pavarësisht se, në dukje, është një procedurë standarde për të gjitha iniciativat e mëdha të Komisionit. Si rezultat, nuk ka asnjë informacion të saktë mbi kostot potenciale dhe globale të zbatimit të skemës në të gjithë BE-në. Rrjedhimisht, ekziston rreziku i pa mjaftueshmërisë së fondeve në totalin e paracaktuar. Duke marrë parasysh edhe mungesën e një përkufizimi të saktë të një “oferte pune cilësore”, risku i mos implementimit në mënyre efektive të kësaj nisme, është edhe më i madh.

Për këtë arsye është e nevojshme, që vendet anëtare të përgatisin një preventiv të saktë dhe të detajuar mbi kostot dhe nevojat për fonde për implementimin e kësaj skeme. Ndërkaq, Komisionit Europian i ngarkohet detyra të promovojë një set kriteresh, të cilat i përcaktojnë qartë atributet, që duhet të ketë një vend për aplikimin, për të përfituar mbështetjen e BE-së, si dhe të ngrejë një mekanizëm efektiv, i qartë monitorues, për mbarëvajtjen e projektit. Edhe perspektiva e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e projektit të BE “Garancia Rinore” për punësim nuk është iluzion. Është e vërtetë që tek ne ka papunësi në nivele problematike për të rinjtë dhe shoqërinë. Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në vitin 2013 ka 51 mijë vetë më pak të punësuar se në vitin 2008. Shkalla mesatare e papunësisë për vitin 2013 ishte 15,6 për qind. Krahasuar me vitin e mëparshëm pati një rritje të papunësisë me 2,2 pikë për qind. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç ishte 30,2 për qind. Krahasuar me vitin pararendës shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi rritje prej 2,3 pikë përqindje. Rritja ekonomike relativisht e qëndrueshme nuk u shoqërua aq sa duhet me zvogëlim të ekonomisë joformale dhe me zhvillimin të kapitalit njerëzor.

Vështirësitë për punësimin e të rinjve në Shqipëri janë të mëdha dhe reale. Por është po kaq e vërtetë që në institucionet e BE ekziston besimi, se kryerja e reformave të integrimit na hap rrugën për të përballuar me sukses edhe sfidat e punësimit. Një sërë projektesh të ngjashme po zbatohen nga ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, natyrisht me mbështetjen e Bashkimit Europian. E tillë është edhe mbështetja e BE për “Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020” në Shqipëri, që ka marrë përsipër të realizojë qeveria shqiptare me ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Është një strategji sektoriale për punësim dhe kualifikimin në vend, me një dimension të përfshirjes sociale për zhvillimin e aftësive të të rinjve dhe rritjen e mundësive për punësimin e tyre.

Me nxitjen e reformave të integrimit, BE mbështet vendin tonë që të shkojë në një stad të ri zhvillimi të përshpejtuar dhe për të bërë të mundur hapjen e negociatave të anëtarësimit. Vendosmëria e Brukselit nuk vjen thjesht dhe vetëm nga fakti i politikave të pandryshuara të fqinjësisë dhe zgjerimit. Shqipëria ka burime të pazëvendësueshme natyrore dhe mbi të gjitha burime njerëzore, ç’ka për Brukselin s’është aspak një retorikë boshe. Jemi fqinj me grupimin më të madh ekonomik dhe politik të botës Bashkimin Europian dhe presim bashkëngjitjen me statusin e plotë anëtar. Ja pse perspektiva e Shqipërisë, të bëhet pjesë e projektit të BE “Garancia Rinore” për punësim, nuk është iluzion.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: