Pesë ditë më parë Policia e Kosovës arrestoi personin e dyshuar se ishte paguar për të vrarë kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lilën, i cili është nga Shqipëria. Por kush është personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e Mimoza Kusarit dhe sekretarit të Komunës? ABCNews publikon foton e një 24-vjeçari me inicialet G. Nokshiqi nga Tropoja.

I riu, është kontaktuar nga 44-vjeçari A.Shiqerukaj, që tashmë është shpallur në kërkim dhe që mendohet se ishte ndërmjetësi mes biznesmenit nga Gjakova dhe vrasësit 24-vjeçar. Burimet thonë, se i riu ka treguar se biznesmeni I njohur në Gjakovë në fushën e hidrokarbureve, ka porositur vrasjen e kryetares së Bashkisë Mimoza Kusari – Lila dhe sekretarin e saj, që dyshohet se ishte personi i besuar i kryetares.

24-­vjeçari nga Tropoja është marrë në ruajtje nga ana e policisë shqiptare pasi u dorëzua në Polici dhe pranoi se kishte qenë pjesë e një plani për vrasjen e kryetares së Komunës së Gjakovës.

Policia shqiptare e cila ka marrë dëshminë e këtij shtetasi rreth dy javë më parë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ia ka përcjellë dosjen Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit e ka transferuar çështjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e cila ka nisur hetimet. Ndonëse hetimi bazë për këtë çështje është në Kosovë, prokuroria shqiptare ka kryer procedurat e zakonshme të marrjes në pyetje të personit që ka bashkëpunuar me policinë. I riu u ka thënë hetuesve se pjesë e planit të vrasjes ishte edhe një shtetas 44-­vjeçar me iniciale A.Sh që tashmë është shpallur në kërkim.

Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga 24-­vjeçari, porositësi i dyshuar për vrasjen ka qenë një biznesmen hidrokarburesh në qytetin e Gjakovës. Pagesa e premtuar ishte 300 mijë euro për autorët që do kryenin vrasjen, ndërsa motiv mendohet se ka qenë një tender i humbur nga biznesmeni në komunën e Gjakovës. Dy personat e porositur për kryerjen e krimit, ishin pajisur me dy pistoleta, një snajper dhe një kallashnikov. Ata kishin qëndruar dy javë në një hotel në Gjakovë dhe kishin tentuar të vrisnin një bashkëpunëtor i afërm të Mimoza Kusarit, por ishin tërhequr në momentin e fundit pasi ai shoqërohej nga fëmijët e tij të vegjël. Prokuroria shqiptare konfirmoi se hetimi që po kryhet në Shqipëri është në kuadër të bashkëpunimit ndërgjyqësor me autoritetet e Kosovës për tu dorëzuar atyre provat që ndodhen në vendin tonë në lidhje me skenarin e vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta ndaj kryetares së Komunës së Gjakovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb