Për të ecur iu desh vetëm viti i parë i jetës, ndërsa fluturimin e mësoi shumë më vonë. Flasim për Roger Martiro, pilot i  Forcave Ajrore. Puna që bën një pilot është një nga më të pazakontat, e për pasojë informacioni që kemi është i vogël.

A e dini ju që helikopteri me të cilin fluturon Rogeri kushton 15 milonë euro? Ky është vetëm një nga detajet që Roxheri zbulon për Trending.

Rogeri  ka studiuar për tre vite në Akademinë e Forcave Ajrore në Itali, pas një burse ushtarake që mori nga Ministria e Brendshme Shqiptare. Ai rrëfen për Trending se në Shqipëri aktualisht nuk ka një shkollë të tillë.

Fluturimi i parë vetëm ishte për të testi më i vështirë, por ai tashmë e ka kaluar këtë provë me ajrin. Përgjegjësitë që ka janë të mëdha, në raste vështirësish fytyra dhe lëvizjet e tij duhet të transmetojnë siguri për ekuipazhin.

Djalë i një babai pilot, prej thuajse 4 vitesh, Roxheri fluturon në qiell, ndërsa thotë se çdo sekondë në ajër e bën ta dojë më shumë këtë punë.

Gjatë rrëfimit të tij për Trending, Roger na tregon se shkolla i ka mësuar bazat, por siç thotë ai: “Ç’ta thotë eksperienca, nuk ta thotë dot shkenca”.

Mund të duket e lehtë të drejtosh një mjet ajror në mes të hapësirës së pafundme, por informacionet që merr Roger para nisjes janë të shumta. Para se te niset i duhet të njihet me kushtet meteorologjike me të cilat do të përballet gjatë futurimit, por edhe me kufizimet e zonave ajrore pasi mund të ketë edhe hedhje me parashuta.

Kur pyetet se a i kërkojnë miqtë xhiro me helikopter, Roger përgjigjet: “Sikur të merrja nga 100 lekë nga të gjithë ata që më kanë kërkuar xhiro, do bëhesha i pasur”.

Me qetësinë e sigurinë që e karakterizon, Roxheri ka një këshillë shumë të bukur për të rinjtë e demoralizuar shqiptarë.

“Mos hiqni dorë nga ëndrrat, çdo gjë është e arritshme, pas çdo stuhie vjen qetësia…një ditë Shqipëria do lulëzojë dhe shqiptarët do vinë drejt Shqipërisë… Shqipëria për shqiptaret do jetë bota”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb