Bledar Selmanaj, i arrestuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljan Bullgarit, në Vlorë, ka mohuar kategorikisht që të jetë autor i krimit. Në një bisede telefonike për emisionin ‘Me zemër të hapur’ të gazetares Evis Ahmeti, nga ambientet e burgut, Selmanaj tha se dikush tjetër fshihet pas ngjarjes.

Ai tha se një tjetër person, me precedent penal, që kishte qenë në burg bashkë me viktimën, ishte autor i vërtetë i ngjarjes. Sipas tij, arma e krimit në oborrin e banesës së tij ishte vendosur pikërisht nga personi tjetër, që ai nuk ia përmendi emrin.

“Me Xhuljanon bëmë bisedë se si u godita unë me breshëri automatiku. Nuk pash shqetësime te ai, veç ishte i shqetësuar për atë që më kishte ndodhur mua. Më tha se kishte një dasmë në Krujë. Tha se do të kthehej në Tiranë, pasi do çonte nënën në dasmë. Më pas ai u takua me një person tjetër. Unë u largova nga ata. Personi tjetër e priste diku tjetër. Kam qëndruar rreth 20 orë që aty. U takova me Xhuljanon, i dhashë dorën dhe atij çunit tjetër dhe i thash; po iki. Më pas u largova për në shtëpi. Telefonova një mikun tim dhe ika me makinën e tij për Tiranë. Të nesërmen e mora vesh që Xhuljano ishte ekzekutuar. Të nesërmen e mora vesh. Nga News24 e mora vesh. Isha në Tiranë. Kam bërë kërkimet e mia se pse ishte ekzekutuar dhe kush e kishte vrarë. Kërkova personin që u takua me ta. ai person jetonte në Tiranë. Unë kam qenë në kërkim. Në atë banesë ku kisha unë banesën, nuk rrija aty. Atje mund të shkojë kushdo. S’kam vajtur në atë shtëpi. Çoja të tjerë për të ushqyer zogjtë. Arma e krimit është gjetur në 24 gusht. Unë kam arrestuar në ish-bllok në Tiranë. Nuk isha arrestuar akoma. Të gjithë e dinin se ajo banesë ishte e imja. Mendoj se ky person që dyshoj unë e ka fshehur ky person. Atë ditë që u arrestova u pyeta dhe për armën që ishte gjetur në oborrin e banesës time. Do ishte mirë që unë të dorëzohesha. Por doja që të mblidhja informacion se kush ishte ekzekutori i tij. Mendoja se sulmi me armë ndaj meje kishte lidhje me ekzekutimin e Xhuljanos. Në 2020-2021 ishim njohur me Xhuljanon në burgun e Fierit. Ai ishte në burg për klandestinë. Personi që e ka takuar Xhuljanon, është me precedent të rëndë penale. Ata kishin qenë bashkë në të njëjtin sektor, ndaj njiheshin.”, tha Selmanaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb