Dalin detaje të tjera nga hetimi i prokurorisë që çoi në arrestimin e 38-vjeçarit Tesi Basho, i akuzuar për një sërë krimesh në Itali dhe Shqipëri.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se pas arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë në Romë, Tesilvan Basho hyri ilegalisht në Shqipëri dhe nisi aktivitetin kriminal. Në 2017 ai kërcënoi me jetë një biznesmen të cilit i kërkonte 100 mijë euro. Me ndihmën e vëllait Santilo Basho arriti t’i merrte biznesmenit 20 mijë euro. Mësohet se dy vëllezërit Basho dhe biznesmeni kanë marrëdhënie familjare me njëri-tjetrin.

Takimet mes biznesmenit dhe Bashos u përgjuan ndërsa paratë u fotografuan. Santilo Basho nuk u ndalua pasi prokuroria donte të arrinte tek Tesi Basho që konsiderohej një person shumë i rrezikshëm.

Pas disa aksioneve te dështuara policore më i fundit një muaj më parë policia arrestoi dy vëllezërit. Tesi Basho krahas akuzave të rënda që ka në Itali po hetohet edhe për gjobëvënie ndaj biznesmenit bashkë me vëllain.

Ndaj tyre ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg dhe sot Tesi Basho ka pasur seancën e marrjes në pyetje te të dyshuarit. Basho ka refuzuar të vinte në seancë dhe procesi vijoi në mungese të tij. Në përfundim të seancës Gjykata e konfirmoi arrestin me burg për 38-vjeçarin.

Tesilvan Basho u arrestua më 16 tetor gjatë operacionit “Selenica”, operacion që u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale “Renea”, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.

Gjykata e Torinos/Itali në vitin 2016 e ka dënuar Bashon me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”.

Më datë 24.01.2008, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion.
Në 2016 ai është arratisur nga burgu i Rebibbos në Itali. Basho ishte pjesë e bandës kriminale të “Llanajve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb