Gjykata e Beratit liroi disa ditë më parë Davide Kovaçin,17-vjeçarin e akuzuar për shkaktimin e vetëvrasjen së 15-vjeçares Adela Çaçi, pas kërcënimeve se do i publikonte foto intime. Pas këtij vendimi, ka qenë i fuqishëm reagimi i Institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

Prokurori i çështjes, Olgert Rumniçi, ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit në Vlorë, me pretendimin se gjyqtarja Adelajda Gjuzi nuk mori parasysh asnjë provë hetimore të siguruar nga prokuroria në lidhje me këtë çështje.

Çështja penale për “shkaktimin e vetëvrasjes” në ngarkim të 17-vjeçarit Davide Kovaçi mbërriti për kompetencë në Gjykatën e Beratit nga Gjykata e Vlorës në 14 Nëntor 2019,pas krijimit pranë organit të akuzës të sektorit të të miturve por gjyqtarja Adelajda Gjuzi vendosi në 5 Dhjetor 2019 “Mospranimin e kërkesës së Prokurorisë Berat për dërgimin e çështjes në gjyq, duke vlerësuar se hetimet nuk ishin të plota.

Prokurori Olgert Rumniçi pretendon se afati 22-ditor i lënë nga gjyqtarja Adelajda Gjuzi për të plotësuar hetimet ishte i pamjaftueshëm dhe se edhe ato prova të reja të siguruara gjatë këtij afati kohor nuk u morën parasysh nga gjykata.

Prokurori Olgert Rumniçi, në bazë të provave të siguruara, që sipas tij, vërtetojnë qartë se 15-vjeçarja ishte nën presionin dhe kërcënimin e Kovaçit kur kreu aktin e vetëhelmimin, i ka kërkuar gjykatës lënien në “arrest në burg” të Davide Kovaçit, për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”, por gjyqtarja Adelajda Gjuzi nuk e ka marrë parasysh kërkesën e organit të akuzës dhe ka urdhëruar “Lirimin e menjëhershëm” të tij.

17-vjeçari Davide Kovaçi u arrestua në 6 Maj 2019,pas vdekjes së Adela Çaçi një ditë më parë. 15-vjeçarja nga fshati Duhanas helmoi veten me “fostoksinë”, pas kërcënimeve se ai do publikonte foto intime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb