Autoritetet meksikane kanë arrestuar gruan e El Mencho-s, njeriut më të kërkuar të momentit në Meksikë. Ai njihet si bosi i Kartelit Jalisco Nueva Generacion. Rosalinda González akuzohet se është financierja e kartelit famëkeq.
Ministria meksikane e Mbrojtjes tha se ajo ishte arrestuar në Zapopán, në të njëjtin qytet ku ishte arrestuar më parë në vitin 2018, për t’u liruar më vonë pas pagesës së garancisë prej 78 mijë dollarësh.

Bashkëshorti i saj, emri i vërtetë i të cilit është Nemesio Oseguera Cervantes, është në arrati prej vitesh dhe për informacione që do të çonin në arrestimin e tij DEA ofron 10 milionë dollarë.

Jalisco Nueva Generacion është një prej karteleve më të fuqishme meksikane dhe konsiderohet përgjegjës për disa nga sulmet më të dhunshme ndaj forcave të sigurisë në vend, si tragjedia e vitit 2015 ku në një pritë u vranë 15 efektivë.

Selinë qendrore karteli e ka në Halisko (Jalisco), por sot vlerësohet se ka shtrirje në të gjithë territorin meksikan.
Gonzales dhe El Mencho kanë tre fëmijë, mes tyre edhe Rubén Oseguera González, i njohur si Menchito, i cili në vitin 2020 u ekstradua në SHBA ku përballet me akuzat e trafikut të drogës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: