Mediat greke kanë bërë publike zbulimin nga Prokuroria të vrasjes së një shqiptari në fund të vitit 2014. Bëhet fjalë për ngjarjen e 29 dhjetorit 2014, ku mjeti tip “Smart” është shpërthyer me telekomandë, duke lënë të vdekur 35-vjeçarin shqiptar dhe plagosur pasagjeren 26-vjeçare.

Kjo e fundit po udhëtonte me bashkëjetuesin e saj drejt aeroportit, ku pritej të udhëtonte drejt Tiranës. Shqiptari i vrarë u identifikua nga mediat si Aleks Rapo.

Në banesën e 35-vjeçarit të vrarë policia gjeti një pistoletë, fishekë dhe granatë. Ai kishte precedentë të mëparshëm për trafik droge, armësh dhe njerëzish, ndërsa u arrestua në vitin 2004 në Selanik dhe u dënua me 8 vite burg. Ai u lirua katër vite më vonë nga burgu i Larisës.

Rapo ndërkohë, siç shkruhet më vonë në disa media për të, ishte i përfshirë në grabitjen me shpërthim të ATM-ve. Mediat shkruajnë se si autor i ngjarjes është një 46-vjeçar shqiptar, pasi ky i fundit një natë para ngjarjes kishte përdorur mjetin tip “Smart” të shqiptarit të vrarë. Mësohet se ai është Ralf Feruku, tashmë i depërtuar në Shqipëri. Mirëpo ai mohon të jetë i përfshirë në ngjarje. Ai është akuzuar në të kaluarën për dy vrasje në Peire dhe përleshje me bashkatdhetarët e tij në një klub nate. “BalkanWeb” zbulon se të dhënat që paraqet media greke lidhet me identitetin e 46-vjeçarit, rezultojnë se i takojnë Ralf Ferukut nga Peshkopia, i njohur në shtetin helen si “Taqi shqiptari” apo “Noti”.

Po kush është Ralf Feruku

Ralf Feruku u arrestua nga Policia në 29 janar 2021 në Lamia në një automjet të blinduar ku ndodhej në shoqërinë e Alket Rizait, i cili kishte dalë për pak ditë me leje nga qelia. Në momentin e kapjes, Policia zbuloi se ndaj Ferukut rëndonte një urdhër arresti si i dyshuar për bashkëpunimin e Roland Shembitrasit dhe Gjergji Kapajt në 2017. Pas arrestimit, Feruku u mbajt në burg deri në 12 prill 2021 kur u lirua me urdhër të prokurorit pa asnjë masë sigurimi dhe u depërtua në Shqipëri.
Feruku për herë të parë ka rënë në pranga në vitin 1997 për vrasjen e një greku në Pire por u dënua vetëm 5 vjet burg pasi vrasja u cilësua ne kushtet e vetëmbrojtjes.

Gjate qëndrimit në burgun e Kretes, ne 1999 u dyshua bashkë me disa bashkevuajtës të tjerë për vrasjen e një të burgosuri tjetër por më vonë u shpall i pafajshëm. Ai dyshohet se tre vite më parë ka marrë pjesë në një shkëmbim zjarri jashtë një mini kazinoje në zonën e Patisias. Për këtë ngjarje akuzohen edhe disa policë, të cilët u përplasën me armë me civilë për çështje të paligjshme. Gjithashtu në 2015 ai u akuzua si pjesëmarrës në një grup gjobvënësish në Athine, Iliupoli etj. Mësohet se ai ka mohuar vrasjen e Roland Shembitrasit dhe plagosjen e Gjergji Kapaj duke u shprehur se ishte mik i Rolandit dhe klient i lokalit “Joy Bar”. Ai u shpreh se vrasjen e kanë kryer të tjerë persona që nuk ishin të maskuar dhe se mes tyre dhe viktimës kishte një zënkë para vrasjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb