SHIJAK- Një atentat me armë zjarri iu bë dje biznesmenit Dashamir Gjoka, i njohur ndryshe edhe si “i forti” i Shijakut. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “4 Rrugët e Shijakut”, në afërsi të komunës Xhafzotaj. Mësohet se Gjoka ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” të blinduar të tipit të ri. Në momentin që drejt tij u qëllua me breshëri automatiku, biznesmeni ndodhej së bashku me të shoqen dhe fëmijët. Si pasojë e të shtënave, fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz.

Ndërkaq, burime pranë policisë bënë me dije se në momentin që drejt mjetit të Gjokës është qëlluar me armë, ky i fundit nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë për t’u shpëtuar plumbave të agresorëve. Prej andej, mësohet se Gjoka nuk ka pritur që uniformat blu të mbërrinin në vendngjarje, por në kushtet e tronditjes ai së bashku me familjen i është drejtuar menjëherë komisariatit të policisë, ku ka denoncuar atentatin që ishte përgatitur ndaj tij. Burime pranë uniformave blu sqaruan se Gjoka ka deklaruar se u qëllua nga një automjet që ecte paralelisht me të, teksa ishte duke udhëtuar në drejtim të Shijakut. Biznesmeni u ka treguar oficerëve të policisë se nuk ka arritur të dallonte armën e zjarrit me të cilën u qëllua apo se kush mund të ndodhej brenda në makinë, pasi sapo ka dëgjuar të shtënat, ka tentuar të shtojë shpejtësinë e mjetit për t’u larguar sa më parë që aty. Ndërkaq, me të marrë njoftimin, efektivët blu të cilët mbërritën në vendin ku ndodhi ngjarja nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të agresorëve. Por, për policinë, mësohet se pista kryesore e atentatit mbetet e kaluara e biznesmenit në Itali.

KUSH ËSHTË DASHAMIR GJOKA
Dashamir Gjoka është një emër i njohur për autoritetet, pasi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Trafikim i personave”. Në shtator të vitit 2015, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në sekuestro 11 mijë metra katrorë truall, ndërtime e biznese, si dhe 15 mijë metra katrorë tokë arë, pasi dyshohej se Gjoka i kishte krijuar nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur rreth 200.000.000 lekë (të reja). Ndërsa, më 4 mars të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të Gjokës. Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali. Por, më 20 korrik 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda hoqi sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit Dashamir Gjoka. Edhe pse i dyshuari është i lirë, pasi gjykata refuzoi ekstradimin e tij drejt Italisë, prokuroria dhe gjykata dyshojnë se pasuritë e tij janë krijuar me burime jo të ligjshme./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: