NGA KLODIANA LALA

Gazmir Daci, njeriu që i shpëtoi atentatit të mirëorganizuar në burgun e Vaqarrit, rrëfen për traumën që përjetoi pas ngjarjes. Prej asaj dite, ai qëndron në qeli nën masa të rrepta sigurie dhe çdo lëvizje e tij kontrollohet.

“Shumë traumatike. Kam kaluar një traumë por shpresoj me ndihmën e drejtorit edhe sektorit të edukimit e kam kaluar mirë. Më kanë mbështetur për ta kaluar këtë traumë. Tani janë plan masash. Nuk dal shpesh por për të dalë dal, në ajrosje të kufizuar”, rrëfen Daci.

Daci shprehet se brenda ambienteve të burgut ndihet i sigurt dhe si besimtar i devotshëm mysliman, ai ka besim se Zoti do ta mbrojë edhe në të ardhmen. I paraburgosuri shprehet se e ka takuar kosovarin që mbeti gabimisht i plagosur dhe ndjen keqardhje për çfarë i ndodhi.

“Çfarë është shkruar prej Zotit e pranoj. Përderisa Zoti më ka mbrojtur që tre herë, do më mbrojë prapë. Kam qenë me të drejtë time, kam mbrojtur veten time, kam mbrojtur familjen time dhe përfundova këtu”, thotë ai.

Teksa qëndron në qelitë e burgut të Vaqarrit, Daci duket se vuan edhe pasigurinë për jetën e familjarëve, të cilët sipas tij rrezikojnë të preken nga gjakmarrja. Ndaj, i bën thirrje shtetit t’i marrë në mbrojtje.

“Nuk ka ndonjë urdhër mbrojtje nga shteti pas 3 atentateve që më janë bërë. I kam bërë një herë apel shtetit, i bëj prapë që të paktën t’i mbrojë nga ana e vet, nga ana shtetërore se unë nuk jam i zoti t’i mbroj më”, deklaron ai.

Duke iu rikthyer ngjarjes së rëndë të ndodhur një vit më parë, ku pas një sherri la të vrarë Valmir Kolaverin dhe plagosi rëndë vëllain e tij, Daci shpreh pendesë dhe u kërkon falje publike familjarëve të viktimave.

“Po, shumë i penduar madje. Iu kam kërkuar falje publike dhe iu kërkoj prapë falje publike, prindërve të viktimave”, shprehet Daci.

Gazmir Daci ndodhet në qeli prej disa muajsh, si i dyshuari kryesor për krimin e rëndë të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar dhe po përballet me akuzat në gjykatën e Tiranë. Në akuzë është vënë edhe babai i tij, Xhelal Daci, pasi dyshohet se fshehu armën e krimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: