Preng Gjini, babai i dy fëmijëve i ka shpëtuar atentatit me rreth 500 gram C4 të vendosur në gomën e djathtë të makinës me të cilën lëvizte ndonëse të gjithë kujtuan se nuk do ia dilte. Por shenjat e shpërthimit janë tepër të dukshme në trupin e tij. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar fotot nga shtrati i spitalit tek Trauma të 51-vjeçarit.

Ai siç duket është i pandërgjegjshëm dhe me oksigjen por sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë shpërthimi i ka lënë shenja në krahë dhe fytyrë.

Preng Gjini jetonte i fshehur prej kohësh, ndërsa një vit më parë i kishin vrarë edhe vëllain Armando Gjini në Rrëshen. Në kryeqytet qëndronte në një banesë që nuk e dinte askush. Pas vrasjes së vëllait të tij Armando Gjini dhe pas vrasjes së Kastriot Reçit kishte marrë masa. Familja e tij jeton në SHBA. Nga hetimet ka rezultuar se atentatorët e kanë vëzhguar për muaj të tërë. E vetmja distancë që bënte ishte rruga që edhe dje përshkoi për të shkuar tek kushëriri i tij.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pak minuta para atentatit ka qenë jashtë pallatit të tij. Dhe më pas ka lëvizur me automjetin e kushëririt, pra dyshohet se atentatorët kanë gjurmuar dhe kushëririn. Dyshohet për 500 gram C4 të vendosur tek goma e parë.

Zakonisht Gjini, lëvizte me kushëririn dhe qëndronte si pasagjer por vetëm dje e ka marrë vetë makinën si shofer dhe kjo ndoshta ka qenë fat për të, pasi eksplozivi ka qenë në anën tjetër ku mund të kishte humbur dhe jetën nëse do të ishte si pasagjer. Sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut, ka dëmtime por jo të përhershme, në gjymtyrë dhe pjesë të tjera të trupit.
Kushëriri i tij është shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga policia. Pista kryesore e hetimeve është ajo e një atentati për hakmarrje, në lidhje me vrasjen e Kastriot Reçit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb