Një banor i fshatit Poro në Novoselë ka rrëfyer ngjarjen e rëndë që përjetoi sot pasi lokali ku ai ishte ulur për të pirë kafe, u sulmua me armë zjarri.

Në një prononcim për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Enrik Mehmeti, i mbijetuari tha se në momentin e sulmit në lokal kishte qenë vetëm ai dhe pronari i biznesit.

Mes të tjerash ai pohoi se kishte parë një person të veshur si polic kufiri dhe me automatik që hapi zjarr në drejtim të tyre duke shkrepur një karikatorë.

“Isha vetëm unë dhe i zoti i lokalit. Një person erdhi, po shihte nga xhami për të hapur derën. Dera hapur ishte. Ishte me syze dhe një kapele. Vetëm një ishte. E pandeva si polic kufiri se thashë; po ky këtu me automatik?! Nuk foli asnjë llaf. Që të dera qëlloi pa u futur brenda. Na qëlloi drejtpërdrejtë. Ishim larg vetëm 1 metra e gjys. Ka shkrepur një karikatorë. 28 plumba atje janë vrimat. Ne ikëm me vrap o vëlla, u larguam poshtë fshehurazi. E pamë që ishte në këmbë. Asnjë fjalë s’tha. Kur sheh dikë me armë, e ke mendjen tek arma. I veshur si me të errëta ishte. Unë s’di gjë pse ka ndodhur. Unë jam hallexhi, shikoj punën time. Mezi nxjerr bukën e gojës. S’di gjë që pse ka ndodhur. Nuk di gjë për çështje politike. Unë s’merrem me politikë fare. Unë nuk di gjë fare”, tha ai.

I mbijetuari i sulmit foli edhe në një intervistë për gazetarin Mehmeti, ku sqaroi sërish ngjarjen. Ai tha se e kishte kuptuar se nuk ishte shaka sapo pa që personi ishte i armatosur.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: