Në Itali do të votohet deri në mesnatë, teksa qendrat e votimit kanë parë radhë të gjatë dhe kolaps gjatë ditës së sotme, ku qytetarëve do t’u duhet të zgjedhin qeverinë dhe kryeministrin që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme.

E vetmja që s’ka votuar deri më tani është pretendentja për kryeministre Giorgia Meloni, e cila duhej të votonte në orën 11:00, por e shtyu daljen në qendrën e votimit për në orën 22:00, një orë para mbylljes së qendrave të votimit.

Por mesazhi i fundit që ajo ka postuar për t’i kërkuar besimin italianëve ka qenë një video në TikTok, e cila ka marrë më shumë se 3 milionë pëlqime, duke treguar popullaritetin e lartë që liderja e ‘Fratelli d’Italia’ gëzon.

Në një mënyrë krejt origjinale, Meloni shihet duke mbajtur dy pjepra (“melon” në italisht është pjepri dhe zhargon për gjoksin e grave) duke iu drejtua italianëve me fjalët: “I thashë të gjitha”.

Dhe për ta mbyllur mesazhin, një shkelje e syrit me shumë djallëzi nga liderja e frontit të së djathtës.

 

@giorgiameloni_ufficiale25 settembre: ho detto tutto.♬ suono originale – Giorgia Meloni

Ndërkohë, sa i përket procesit ai përfundon në orën 23:00, por në praktikë ata që janë ende në radhë mund të votojnë edhe pak pas përfundimit.

Exit poll-et pritet të publikohen menjëherë më pas në rrjetet italiane, ndërsa pak orë më vonë do të zbardhet edhe shpërndarja e mandateve, e cila do të tregojë nëse ka mundësi të formohet një qeveri autonome.

Arsyeja është sistemi zgjedhor i ndërlikuar – megjithëse i ndryshuar në krahasim me të kaluarën – ku rreth një e treta e mandateve shpërndahen me shumicë dhe pjesa tjetër proporcionalisht . Vendet janë gjithashtu të reduktuara në krahasim me të kaluarën, ku Parlamenti tani ka 400 vende dhe Senati 200 vende.

Sondazhet i japin koalicionit elektoral të udhëhequr nga Giorgia Meloni (Vëllezërit e Italisë, Liga e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit) midis 44% dhe 47% të votave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb